“SHBA-të janë begatia e Zotit”, imami Maliqi pret në xhami ushtarët amerikanë

Në një takim të veçantë dhe përplot emocione, imami Labinot Maliqi ka pritur në xhaminë e tij përfaqësues të ushtrisë amerikane nga Kampi Bondsteel, në një vizitë lamtumirëse për Kapelanen Major Borne dhe njëkohësisht për mirëseardhjen e Kapelanit të ri, Kolonel Walls. Imami Maliqi e cilësoi këtë moment si një nder të madh, duke theksuar…

Lajme

26/06/2025 08:32

Në një takim të veçantë dhe përplot emocione, imami Labinot Maliqi ka pritur në xhaminë e tij përfaqësues të ushtrisë amerikane nga Kampi Bondsteel, në një vizitë lamtumirëse për Kapelanen Major Borne dhe njëkohësisht për mirëseardhjen e Kapelanit të ri, Kolonel Walls.

Imami Maliqi e cilësoi këtë moment si një nder të madh, duke theksuar rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara për Kosovën:

“SHBA-të janë miku ynë special, aleati ynë kryesor, partneri i pazëvendësueshëm dhe begatia e Zotit për Republikën e Kosovës,” shkroi ai në një postim publik.

Gjatë këtij takimi të ngrohtë, imami pranoi edhe një mirënjohje zyrtare nga KFOR-34 RC-East, ku u vlerësua kontributi i tij për mbështetjen ndaj misionit të forcave amerikane në Kosovë. Në tekstin e mirënjohjes thuhej:
“Kontributet tuaja kanë qenë thelbësore për suksesin e përgjithshëm të misionit të forcave në Kosovë.”

Në shenjë respekti dhe kujtimi, ai pranoi edhe një fanellë me mbishkrimin e Kampit Bondsteel – një dhuratë simbolike që ai e vlerësoi lart dhe e cilësoi si kujtim me rëndësi të veçantë në jetën dhe shërbimin e tij fetar.

Imami Maliqi përfundoi fjalën e tij me një mesazh mirënjohjeje për popullin amerikan:

“Atë që Shtetet e Bashkuara dhe populli amerikan kanë bërë për vendin tonë, për lirinë tonë, për të drejtën tonë për të ekzistuar dhe për çdo qytetar që e quan Kosovën shtëpi të vet, shkon përtej çdo partneriteti që ka njohur ndonjëherë bota. E falënderoj Zotin që i kemi!”.