Për LVV më të rëndësishme 90 milionë euro apo Albulena Haxhiu?
Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati ka thënë se janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikim nga Kuvendi e që rrezikojnë t’i merren Kosovës si rezultat i moskonstituimit të Kuvendit. Këto mjete, me kamatë zero për qind (0%), po presin për ratifikim nga maji i…

Lajme
Ministri i Financave në detyrë, Hekuran Murati ka thënë se janë 90 milionë euro të alokuara nga Banka Botërore për Kosovën, të cilat po presin ratifikim nga Kuvendi e që rrezikojnë t’i merren Kosovës si rezultat i moskonstituimit të Kuvendit.
Këto mjete, me kamatë zero për qind (0%), po presin për ratifikim nga maji i vitit të kaluar dhe nëse marrëveshja për to nuk ratifikohet deri në shtator, mund t’i jepen një shteti tjetër.
Për këtë ministri në detyrë, Hekuran Murati ka akuzuar partitë që deri tash ishin në opozitë, Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Porse, deputetët kanë dështuar sot (e hënë) për të tridhjetegjashtën herë të konstituojnë legjislaturën e nëntë.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa. Ndërkohë edhe Lëvizja Vetëvendosje nuk ka ndërruar emrin e Albulena Haxhiut, si e propozuar për kryeparlamentare.
Albulena Haxhiu në gjashtë tentime me votim të hapur ka dështuar të marrë 61 vota e nevojshme për marrjen e postit të kryeparlematares. Në mungesë të kësaj Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa po kërkojnë komision për votim të fshehtë, për të cilën gjë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar interpretim nga Gjykata Kushtetuese.
Ndërkohë, në Partinë Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës janë shprehur të hapur të votojnë ndonjë kandidat tjetër nga LVV-ja për kryetar të Kuvendit, mirëpo që sipas tyre i njëjti nuk duhet të ketë qenë pjesë e kabinetit qeveritar Kurti II.
Ndër emrat që janë përmendur janë deputeti, njëherësh ish-kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe deputetet, Saranda Bogujevci dhe Shqipe Selimi.
Mirëpo, pavarësisht kësaj, në LVV, parti e cila ka dal e para në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit janë të betonizuar në kandidaturën e Haxhiut.
Pas dështimit të seancës së sotme, partitë parlamentare u shprehen se janë në pritje të vendimit të Kushtetueses për kushtetutshmërinë e votimit të fshehtë të kryekuvendarit.
Janë bërë më shumë se pesë muaj nga zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit dhe Kuvendi i Kosovës ende nuk është konstituar për t’i hapur rrugë formimit të qeverisë së re.