Bajrami për tenderin mbi 100 milionësh për rehabilitimin e Kosovës A3: Kompanitë ftohen të konkurojnë, KEK-u nuk e din çfarë do të bëjnë ato
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami sot pas dështimit të seancës së 36-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës është deklaruar në lidhje me gjendjen në KEK për të cilën ka thënë se është “mafi energjetike”, e që sipas saj në këtë sektor jemi në gjendje shumë të rëndë. Ajo ka thënë se janë dyfishuar faturat…

Lajme
Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami sot pas dështimit të seancës së 36-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës është deklaruar në lidhje me gjendjen në KEK për të cilën ka thënë se është “mafi energjetike”, e që sipas saj në këtë sektor jemi në gjendje shumë të rëndë.
Ajo ka thënë se janë dyfishuar faturat e energjisë elektrike ndërkaq janë 1300 biznese që janë në kaos sipas saj për sa i përket furnizimit me energji elektrike dhe pas 60 ditësh nuk e din se çka do të ndodh pasi do t’i kaloj afati KEK-ut si furnizues i mundësisë së fundit.
Bajrami ka folur për një tender në vlerë prej 137 milionë euro për rehabilitimin dhe modernizimin e Kosovës A3.
“Sot do të flas për një tender në vlerë prej 137 milionë euro, me negociata i shpallur nga KEK më 22 janar të këtij viti. Bëhet fjalë për 137 milionë euro për rehabilitim dhe modernizim të Kosovës A3. Merreni me mend KEK e ka shpallur këtë tender dhe nuk ka studim të fizibiletit. Arsyshmëria që këtë tender ta shpall me negociata thuhet është sepse është shumë voluminoz dhe operatori ekonomik nuk ka bërë studim të fizibilitetit. Pra, ftohen kompanitë me konkuru dhe KEK-u nuk e din se çfarë do të bëjnë ato kompani. Ka pas disa ndryshime të kritereve gjatë rrugës, dhe ende është i hapur. KEK i pret 6 oferta dhe më pas me i fillu negociatat me secilën prej tyre. Nuk ka penalti, nuk ka auditim dhe ka kritere diskriminuese thjeshtë kërkohet qarkullimi i kompanive dhe kërkohet përvoja e ekspertëve dhe kjo e fundit ka ndryshu disa herë me gjasa duke iu përshtat kompanive të ndryshme”, ka thënë Bajrami.
Ajo gjithashtu ka thënë se derisa Ministria e Ekonomisë e Qeveria janë lavdëruar se KEK-u po operon me fitim, qytetarët janë ata që e kanë paguar fitimin e KEK-ut, shkruan lajmi.net.
“Sot kur jemi në qershor ne kemi rënie të vazhdueshme të blloqeve, mirëpo fitimin e KEK-ut qytetarët po e paguajnë me fatura jashtëzakonisht të larta, me import i cili në periudha verore nuk është fare i nevojshëm që të kemi dhe po e paguajnë përmes sponsorizimit të fitimit të kompanive të ndryshme, të cilat ne dyshojmë se janë të lidhur me njerëz në institucionet e energjisë. E dini që është raportuar në media, se qytetarët e Kosovës kanë paguar deri në 800 euro për megavat orë për transportin e energjisë elektrike kryesisht prej dy kompanive, EFT-së së Vuk Hamoviqit dhe NOA-së. Një kompani e cila i ka 2 punëtorë dhe është kompania e tetë më e madhe për nga qarkullimi në vitin 2024. Por, nuk ka dështuarvetëm Ministria e Ekonomisë, ka dështuar KOST-i, sepse KOST- e ka licencën e transmisionit dhe operimit në treg, domethënë i ka leju këto kompani që me i rezervu kapacitetet transmetuese dhe mandej me ardh deri deri te pagesa deri në 800 euro. Ka dështuar ZRrE-ja sepse ajo do të duhej t’i kontrollonte KOST-in dhe operatorët e tjerë në treg, por sot këta njerëz janë shumë komod nëpër pozitat e tyre, janë kryesisht njerëz të dërguar nga LVV sepse janë vendosur gjatë mandatit të kaluar disa me votë në Kuvend dhe disa të emëruar nga qeveria”, ka thënë Bajrami.
Ajo i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale për hetim të menjëhershëm të të gjithë akterëve të involvuar në sektorin e energjisë elektrike. /Lajmi.net/