I jepet lamtumira e fundit ish-delegatit të Kuvendit të Kosovës, Ymer Gashit
Në Mohlan të Suharekës sot u mbajt mbledhja komemorative për ish-kryetarin e komunës e ish-delegatin e Kuvendit të Kosovës Ymer Gashi, i cili ndërroi dje jetë. Kryetari i Suharekës Bali Muharremaj tha se ish-delegati i Kuvendit të Kosovës Ymer Gashi la gjurmë në komunën e Suharekës, duke dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e…

Lajme
Në Mohlan të Suharekës sot u mbajt mbledhja komemorative për ish-kryetarin e komunës e ish-delegatin e Kuvendit të Kosovës Ymer Gashi, i cili ndërroi dje jetë.
Kryetari i Suharekës Bali Muharremaj tha se ish-delegati i Kuvendit të Kosovës Ymer Gashi la gjurmë në komunën e Suharekës, duke dhënë një kontribut të madh në zhvillimin e arsimit e infrastrukturës.
“La gjurmë në komunën e Suharekës, ishte një kryetar i komunës i cili në vitet ‘78 dha kontribut të madh në zhvillimin e arsimit dhe infrastrukturës. Punën nuk e ndali asnjëherë. Ishte edhe pjesëmarrës së shpalljes së Deklaratës Kushtetuese. Pata fatin me e njohur edhe si nxënës e student ta takojë pas luftës. Nuk është mirë t’i harrojmë gjeneratat e vjetra që dhanë një kontribut shumë të madh duke filluar edhe përgjatë Luftës së Dytë Botërore”, tha Muharremaj.
Mbesa e të ndjerit, Etika Gashi u shpreh se Kosova po e përcjellë edhe një nga delegatët e pavarësisë dhe kushtetutës së Kosovës
“Kosova po e përcjellë edhe njërin nga delegatët e pavarësisë dhe kushtetutës së saj. Ne si familje po i themi lamtumirë gjyshit, babait, njeriut që na mësoi për dashurinë, kujdesin dhe mbështetjen. Po i themi lamtumirë njeriut që na mësoi të mos dorëzohemi kurrë edhe atëherë kur jeta ishte e padrejtë”, u shpreh Gashi.
Ish-delegati i Kuvendit të Kosovës, Muharrem Shabani tha se Ymer Gashi ka thënë një kontribut të jashtëzakonshëm për popullin e Kosovës, duke theksuar se nuk pushoi së punuari deri në frymën e fundit.
“Ymeri ishte njëri ndër delegatët e Kuvendit të Kosovës, i cili nga konstituimi i këtij kuvendi dha kontribut të jashtëzakonshëm. Ymeri ishte ndër zërat e guximshëm që nuk pushoi së punuari deri në frymën e fundit për Kosovën dhe popullin e saj. Kam pasur një raport të veçantë deri në ditët e fundit të jetës së tij… Ai gjithnjë veproi me guxim kur guximi kishte çmim”, tha Shabani.
Ceremonia mortore për ish-delegatin e Kuvendit të Kosovës Ymer Gashi është mbajtur sot nga ora shtatëmbëdhjetë në Muhlan të Suharekës