Sindikata e Re e KEK-ut reagon ndaj deklaratave të KESCO-s
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK) ka reaguar me indinjatë ndaj deklaratave të fundit të përfaqësuesve të KESCO-s, të cilat i cilëson si tendencioze, të pavërteta dhe fyese ndaj mijëra punëtorëve të KEK-ut që mbajnë sistemin energjetik në funksion. Në reagimin e saj, dërguar për media Sindikata e KEK-ut thekson se KESCO po…

Lajme
Sindikata e Re e Korporatës Energjetike të Kosovës (SR-KEK) ka reaguar me indinjatë ndaj deklaratave të fundit të përfaqësuesve të KESCO-s, të cilat i cilëson si tendencioze, të pavërteta dhe fyese ndaj mijëra punëtorëve të KEK-ut që mbajnë sistemin energjetik në funksion.
Në reagimin e saj, dërguar për media Sindikata e KEK-ut thekson se KESCO po manipulon opinionin për të fshehur dështimet e veta shumëvjeçare, duke përmendur mosrealizimin e obligimit për vendosjen nëntokësore të rrjetit energjetik dhe ndërprerjet e shpeshta të energjisë, shpesh në kohë me çmime të larta në tregjet ndërkombëtare.
Sipas Sindikatës, KEK-u paguhet me vetëm 29.5 euro për megavat-orë nga KESCO – një çmim që nuk mbulon as kostot minimale të prodhimit, ndërkohë që qytetarët tarifohen me çmime më të larta për vetë rrjetin. KESCO, sipas reagimit, i detyrohet KEK-ut mbi 100 milionë euro për energjinë e konsumuar, ndërsa KEK-u vazhdon të operojë në kushte të vështira me pajisje të vjetruara, por me përkushtim të madh të punëtorëve të saj.
Sindikata e Re e KEK-ut bën thirrje që qytetarët të mos bien pre e dezinformatave dhe kujton se KESCO është përgjegjëse për furnizimin me energji sipas licencës së marrë që nga viti 2013. Në përmbyllje, ajo shprehet e vendosur për të mbrojtur dinjitetin e punëtorëve dhe për të kontribuar në një sistem energjetik të drejtë dhe funksional në shërbim të qytetarëve.