Një muaj paraburgim të dyshuarit për sulmin brutal te Gjykata në Suharekë
Gjykata Themelore, Dega në Suharekë, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit H.K., pasi e kishte sulmuar me mjet të fortë një person tjetër në oborrin e gjykatës në këtë qytet. Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se ndaj të njëjtit rëndon vepra penale “lëndim i rëndë trupor”. Gjykata shton…

Lajme
Gjykata Themelore, Dega në Suharekë, ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit H.K., pasi e kishte sulmuar me mjet të fortë një person tjetër në oborrin e gjykatës në këtë qytet.
Në njoftimin e lëshuar për media thuhet se ndaj të njëjtit rëndon vepra penale “lëndim i rëndë trupor”.
Gjykata shton se i dyshuari e kishte goditur viktimën me inicialet B.H me çekan në pjesën e krahut të djathë dhe i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore.
“Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit, ndaj të pandehurit ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e kësaj mase, dhe nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi i bazuar se: Me datë 18 qershor rreth orës 10:50 minuta, në oborrin e Gjykatës Themelore Prizren – Dega në Suharekë, me përdorimin e mjetit të rrezikshëm, personit tjetër i shkakton lëndim të rëndë trupor, i cili rezulton në dëmtimin e përkohshëm dhe serioz të shëndetit të personit tjetër, në atë mënyrë që për shkak të një konflikti të mëhershëm që e kishte pasur i pandehuri me të dëmtuarin B.B., me të vërejtur të dëmtuarin duke hyrë në oborrin e Gjykatës, fillon të fjaloset me të e më pas nga çanta e tij e nxjerrë një çekan dhe e gjuan në drejtim të tij, ku edhe e godet në pjesën e krahut të dorës së djathtë, me ç’rast të njëjtit i shkakton lëndime të rënda trupore”, thuhet në njoftimin e gjykatës.
Më tej, gjykata shton se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri e ka kryer veprën penale të përshkruar si më lartë, ekziston edhe baza ligjore për caktimin e paraburgimit për shkak se ekzistojnë rrethana që tregojnë se ekziston rreziku i ikjes së tij po të lihet në liri, sepse pas kryerjes së veprës penale është larguar nga vendi i ngjarjes, andaj me lënien në liri do ekziston rreziku se do të jetë i pakapshëm për organet e drejtësisë dhe në këtë mënyrë ta pengoj zhvillimin normal të procedurës penale.
“Duke pasur parasysh mënyrën dhe rrethanat ne të cilat dyshohet se është kryer vepra penale, e cila është kryer pranë oborrit të gjykatës, pikërisht deri sa ishin ftuar nga gjykata për një rast tjetër penal ndërmjet të pandehurit dhe viktimës, si dhe faktin se me mjet të rrezikshëm i ka shkaktuar lëndim trupor, tregon rrezik potencial se i njëjti mund të përsëris veprën penale apo të kryejë vepër më të rëndë penale, andaj caktimi i paraburgimit është masë e domosdoshme në këtë fazë”, thuhet në njoftim.