Kolapsimi i KEK-ut nën drejtimin e Gramos Hashanit – Zero prodhim, Kosova rrezikon t’i mbuloj nevojat për rrymë vetëm përmes importit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), aktualisht është në kolaps të plotë sa i përket prodhimit të energjisë elektrike. Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe nga Kompania furnizuese me energji elektrike (KESCO) të cilët kanë konfirmuar se nuk ka prodhim dhe se nesër Kosova rrezikon që të mbulojë të gjitha nevojat vetëm përmes importit. Sipas…

Lajme

20/06/2025 14:06

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), aktualisht është në kolaps të plotë sa i përket prodhimit të energjisë elektrike. Në lidhje me këtë kanë reaguar edhe nga Kompania furnizuese me energji elektrike (KESCO) të cilët kanë konfirmuar se nuk ka prodhim dhe se nesër Kosova rrezikon që të mbulojë të gjitha nevojat vetëm përmes importit.

Sipas KESCO-s, në skenarin më ekstrem, e gjithë sasia e energjisë elektrike që konsumojnë qytetarët e vendit do të duhet të sigurohet përmes importit, një skenar që paraqet rrezik të lartë për stabilitetin energjetik dhe për barrën financiare ndaj konsumatorëve.

Emërime, krizë dhe qindra milionë euro blerje për energji – KEK nën drejtimin e Gramos Hashanit

Rryma u shtrejtua. Skandalet njëpasnjëshme. Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) vendos të rrisë çmimin e energjisë elektrike, ndërkohë që asnjë megavat nuk është investuar në fuqinë prodhuese të KEK-ut.

Brenda pak muajsh, KEK ka ndërruar disa ushtrues detyre të kryeshefit. I fundit, i caktuar në Shkurt 2025, është Gramos Hashani, i emëruar nga Bordi i KEK-ut me kryesues Valdrin Krasniqi. Edhe pse pritej të ishte një zgjidhje kalimtare, mandati i tij u shndërrua në një periudhë të ngarkuar me emërime, ndërhyrje dhe dështime.

Në rrjete sociale, Gramos Hashani shihet në fotografi me Xhafer Gashin, si kryetar i emëruar i një nëndege të AAK-së në Obiliq në vitin 2019.

Duket se më vonë krijoji lidhje edhe me partinë në pushtet, shihen fotot e tij miqësore me Valon Prebrezën Drejtorin e Ndërmarrjeve Publike dhe Alban Krasniqin sekretar i KEK dhe anëtar bordi në Trepçë, ku janë ngritur dyshime për ndikim politik në emërimin e tij.

KEK-u dështon – Qytetarët paguajnë

Përkundër lidhjeve dhe mbështetjes që kishte, Hashani nuk arriti të përmirësonte performancën e KEK-ut. Përkundrazi, vetëm brenda këtyre tre muajve të fundit, Kosova u detyrua të blejë më shumë se 100 milionë euro energji elektrike, si pasojë e dështimeve të njëpasnjëshme të blloqeve prodhuese. Nuk kishte ndonjë mot të ftohtë, nuk kishte ndonjë krizë natyrore, thjesht mungesë organizimi dhe keqmenaxhim. Mediat raportonin në Prill për KEK-un në kolaps që punonte me vetëm një bllok aktiv (A4) të termocentralit Kosova A, por askush nuk mori përgjegjësi.

Emërime politike me shpejtësi, pa pritur rezultatin e konkursit për Kryeshef

Pa pritur përfundimin e konkursit për Kryeshef të ri (ku u përfol se është zgjedhur Ylber Batalli), Hashani ndërmori një valë masive emërimesh dhe shkarkimesh në nivelet drejtuese të KEK-ut:
• Avdi Muzliukaj në vend të Mirvete Gergurit si drejtor i Prokurës
• Ramadan Ahmeti në vend të Jakup Pllanës si ud drejtor në TCB
• Skender Isufi në vend të Remzi Beshirit si ud drejtor në TCA
• Erdoan Zasella ushtrues detyre drejtor në Divizionin e Burimeve të Ripërtëritshme, edhe pse pa përvojë menaxheriale të mjaftueshme
• Yll Shala në vend të Agron Binakajt si menaxher në TCB.
• Fatmir Gerguri në vend të Isa Xhemajlit si ud drejtor i Inxhinieringut
• Arben Avdiu kthehet në pozitë menaxheriale në TCB, pasi ishte larguar një vit më parë
• Esat Gerguri në vend të Behxhet Magjunit si drejtor teknik në TCA
• Daut Krasniqi në vend të Zymer Morinës si drejtor i mirëmbajtjes.

“Bellaqefci Holding”: Fshati që po menaxhon KEK-un

Një fakt edhe më shqetësues: 12 menaxherë të KEK të emëruar vetëm brenda një viti janë nga fshati Bellaqefc apo Bardh i Madh. Ky rastesis të jetë fshati i Valon Prebrezës, Drejtorit të ndërmarrjeve publike, i cili njëkohësisht është aktivist i Vetëvendosjes dhe i afërt me ministren Rizvanolli. Rastësi? Apo rrjet klientelist? Edhe gjysma e antarëve të rinjë të Bordit të ri të zgjedhur të KEK rastësisin të jenë nga fshati Bellaqefc, transmeton demokracia.

(FOTO: Gramos Hashani, Alban Krasniqi, Valon Prebreza)

Problem serioz mbetet edhe tenderi për bllokun A3, i shpallur në janar 2025. Ky projekt është zvarritur disa herë dhe ende nuk ka asnjë përparim konkret, përkundër problematikave të mëdha me furnizimin me energji dhe skandaleve të përditshme në sektorin energjetik.

Nga nesër, 21 qershor, e në ditët në vijim pritet që të nisë një mungesë e theksuar e prodhimit vendor të energjisë elektrike. KESCO ka paralajmëruar se në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.

Përmes një njoftimi, KESCO ka theksuar se është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem, pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare.

Marrë parasysh vështirësitë për import të një sasie kaq të madhe sa e parasheh KESCO, është bërë thirrje urgjente për kursim të rrymës.

“Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar. Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.