Situatë krize energjetike në Kosovë: Në prodhim vetëm njësia B1 e Kosovës B
Eshtë situatë krize elektroenergjetike në vend për shkak se në prodhim nga kapacitetet vendore gjendet vetëm blloku B1 i termocentraleve Kosova B, që ka kapacitet gjithsej 260 megavatë-orë, dhe kjo sasi është e tëra që ka në disponim KEK-u për t’i ofruar kompanisë turke KESCO, që bënë distribuimin e rrymës për konsumin e Kosovës. Sa…

Lajme
Eshtë situatë krize elektroenergjetike në vend për shkak se në prodhim nga kapacitetet vendore gjendet vetëm blloku B1 i termocentraleve Kosova B, që ka kapacitet gjithsej 260 megavatë-orë, dhe kjo sasi është e tëra që ka në disponim KEK-u për t’i ofruar kompanisë turke KESCO, që bënë distribuimin e rrymës për konsumin e Kosovës.
Sa ka kushtuar dje dhe sot rryma në bursat ndërkombëtare?
Pas njoftimeve të mbrëmshme nga KEK-u për ndërprerjen e kushtëzuar të prodhimit në dy njësitë e termocentraleve Kosova A (në A3 dhe A5) si pasojë e problemeve teknike, situata elektroenergjetike në Kosovë është thuaja se alarmuese. Eshtë situatë krize, për shkak se në prodhim nga kapacitetet vendore gjendet vetëm blloku B1 i termocentraleve Kosova B, që ka kapacitet gjithsej 260 megavatë-orë, dhe kjo sasi është e tëra që ka në disponim KEK-u për t’i ofruar kompanisë turke KESCO, që bënë distribuimin e rrymës për konsumin e Kosovës.
Sasia e rrymës së prodhuar vetëm në njërin bllok të Kosovës B, është fare minimaliste për t’i përmbushur nevojat e konsumit të Kosovës në rrethanat më normale të motit gjatë ditëve të verës, ndërsa në rrethanat me mot tropikal, siç është ky i këtyre ditëve, kur për shkak të aktivizimit për ftohje dhe për freskimin e ambienteve të banimit nga shumë konsumatorë, kjo sasi e prodhuar sot nga vetëm njëri bllok i Kosovës B, është përtej rrymës minimaliste.
Korporata Energjetike e Kosovës nuk ka njoftuar dje, e as sot, për ndonjë sasi të energjisë të siguruar nga importi, apo nga këmbimi i rrymës me Shqipërinë, për ta kompenzuar mungesën e rrymës nga kapacitetet vendore, të cilat, siç u tha, për shkak të defekteve teknike janë jashtë funksionit prodhues.
KEK ka njoftuar të enjten në orët e mbrëmjes për problemet teknike me të cilat po përballet brenda tre ditëve të fundit. Përmes një njoftimi për media, ata kanë treguar se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi “në mënyrë të paplanifikuar”, të enjten rreth orës 00:30.
“Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar, sot më 19.06.2025, rreth orës 00:30. Kjo ndalesë është shkaktuar si pasojë e luhatjeve në sistemin elektrik, me ç ‘rast ka reaguar sistemi mbrojtës i gjeneratorit, duke shkaktuar ndërprerjen automatike të zgjueses”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
KEK-u ka njoftuar gjithashtu se në njësinë A5 të Termocentralit Kosova A, më 17 qershor, është vërejtur humbje e ujit në kalldajë, ndërsa më 18 qershor ajo ëshë ndalur, derisa njësia A4 është në remont që nga 16 maji.
“Gjithashtu, ju informojmë se në njësinë A5 të TC Kosova A, më 17.06.2025 është vërejtur humbje e ujit në kaldajë. Ekipet teknike kanë monitoruar nga afër situatën dhe e kanë mbajtur njësinë në funksion deri më 18.06.2025 në ora 00:02, kur ajo është ndalur me qëllim të evitimit të ndonjë avarie të përmasave më të mëdha. Ndërkohë, njësia A4 e TC Kosova A ndodhet në remont që nga data 16.05.2025”, ka njoftuar KEK-u.
Në fund të komunikatës së KEK-ut, nëpërmjet së cilës është njoftuar për rënien e paplanifikuar të dy blloqeve të Kosovës A nga prodhimi, thuhet se “menaxhmenti i KEK-ut është i përkushtuar që, përtej adresimit teknik të situatës, të vendoset një standard i lartë i përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet operuese, si parakusht për garantimin e stabilitetit të sistemit prodhues dhe të besueshmërisë ndaj publikut. KEK-u siguron opinionin se po ndërmerren të gjitha masat teknike dhe organizative për rikthimin sa më të shpejtë të njësive në funksion, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët relevantë të sektorit energjetik në vend”.
Ndërkohë, në këto ditë me vapë të skajshme, kur temperaturat mesatare gjatë ditës kanë kaluar 30 gradë Celcius, është shtuar ndjeshëm konsumi i energjisë elektrike në vend. Në orë të caktuara, madje, ka arritur mesataren e konsumit ditor gjatë ditëve të dimrit, që do të thotë në orët kur vapa kulmon në shumë rajone të Kosovës, konsumi i energjisë elektrike në vend sillet rreth 900 megavatë-orë dhe përtej. Sasia e munguar e energjisë elektrike për nevojat të konsumit të Kosovës ose domosdo duhet të importohet, ose të aplikohen reduktime të ashpra në gjithë konsumin.
Në këtë situatë krize të energjisë elektrike në Kosovë, çmimet relativisht të lira të energjisë elektrike në bursat ndërkombëtare janë një “fije fati” për Kosovën e varfër që doemos duhet të importojë sasi të madhe të rrymës. Dje (e premte, 20 qershor 2025) në bursën hungareze HUPX, një nga burimet e rëndësishme importuese të rrymës që e ka Kosova, çmimi mesatar gjatë ditës për një megavat-orë të energjisë elektrike ishte 88,28 euro, ndërsa çmimi i megavatit gjatë orëve të pikut ishte 49,44 euro. Kurse, një ditë më parë, (e enjte, 19 qershor 2025) çmimi mesatar i rrymës gjatë ditës në bursën hungareze ishte 90 euro për një megavatë-orë, ndërsa gjatë pikut euro megavati. /Buletini Ekonomik/