Konflikti Izrael-Iran hyn në javën e dytë, Evropa synon një zgjidhje diplomatike

Konflikti ajror mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e dytë më 20 qershor, teksa zyrtarët evropianë po tentojnë ta kthejnë Teheranin në tavolinën e negociatave, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se një vendim potencial për përfshirjen amerikane do të merret brenda dy javësh. Izraeli nisi fushatën ushtarake ndaj Iranit më 13 qershor,…

Bota

20/06/2025 08:31

Konflikti ajror mes Izraelit dhe Iranit ka hyrë në javën e dytë më 20 qershor, teksa zyrtarët evropianë po tentojnë ta kthejnë Teheranin në tavolinën e negociatave, pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se një vendim potencial për përfshirjen amerikane do të merret brenda dy javësh.

Izraeli nisi fushatën ushtarake ndaj Iranit më 13 qershor, duke thënë se synon të parandalojë armikun e përbetuar nga krijimi i armëve bërthamore. Irani u kundërpërgjigj me sulme me raketa dhe dronë ndaj Izraelit. Teherani thotë se programi i tij bërthamor është për qëllime civile.

Konfliktet në Lindjen e Mesme

Në këtë rubrikë mund të gjeni lajme, intervista, analiza, infografika, video dhe përmbajtje tjetër lidhur me konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, luftës në Gazë dhe tensioneve të tjera rajonale.

Sulmet izraelite kanë vrarë të paktën 224 persona në Iran, ndërkaq Izraeli ka raportuar për 24 viktima nga sulmet iraniane.

Izraeli ka shënjestruar aftësitë bërthamore dhe raketore të Iranit, me synimin për të shkatërruar qeverinë dhe udhëheqësin suprem iranian, ajatollah Ali Khamenei, sipas zyrtarëve perëndimorë dhe rajonalë.

“A po godasim për të rrëzuar regjimin? Ndoshta ky do të jetë rezultati, por është në dorën e popullit iranian që të ngrihet për lirinë e vet”, tha kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të enjten.

Irani ka thënë se ka shënjestruar objekte ushtarake dhe të lidhura me mbrojtjen në Izrael, megjithëse po ashtu ka goditur një spital dhe disa caqe të tjera civile.

Me asnjërën palë që nuk po tërhiqet, ministrat e Jashtëm të Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, së bashku me shefen për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, pritet të takohen të premten në Gjenevë me ministrin e Jashtëm iranian, në përpjekje për të ulur tensionet.

“Tani është koha t’i japim fund skenave të rënda në Lindjen e Mesme dhe të parandalojmë një përshkallëzim rajonal që nuk do t’i sillte dobi askujt”, tha sekretari i Jashtëm britanik, David Lammy, para takimit të përbashkët me ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araqchi.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjithashtu u takua me Lammyn të enjten dhe zhvilloi biseda të ndara telefonike me homologët e tij nga Australia, Franca dhe Italia për të diskutuar rreth konfliktit.

Departamenti amerikan i Shtetit tha se Rubio dhe ministrat e Jashtëm u pajtuan që “Irani nuk mund të zhvillojë asnjëherë apo të posedojë armë bërthamore”.

Lammy tha të njëjtën gjë përmes një postimi në X, duke shtuar se situata në Lindjen e Mesme “mbetet e rrezikshme” dhe se tani “ekziston mundësia që brenda dy javësh të arrihet një zgjidhje diplomatike”.
Shtëpia e Bardhë tha se Trump do të marrë pjesë në takimin e sigurisë kombëtare mëngjesin e së premtes. Presidenti amerikan e ka kërcënuar Teheranin, por gjithashtu ka bërë thirrje për rinisjen e bisedimeve bërthamore mes Uashingtonit dhe Teheranit, që u pezulluan për shkak të konfliktit.
Në agimin e së premtes, ushtria izraelite lëshoi një paralajmërim të ri për një breshëri raketash të lëshuara nga Irani. Të paktën njëra prej tyre goditi drejtpërdrejt në Ber Sheva, qytetin më të madh në jug të Izraelit, që ka qenë shënjestër e sulmeve ditët e fundit.

Raketa goditi pranë ndërtesave të banimit, zyrave dhe objekteve industriale, duke shkaktuar dëme materiale.

“Kishte një goditje të drejtpërdrejtë pranë njërës prej banesave. Dëmet këtu janë mjaft të mëdha”, tha mjeku Shafir Botner.

Transmetuesi publik izraelit, Kan, publikoi pamje të makinave të përfshira nga zjarri, shtëllunga tymi dhe dritare të thyera nëpër strehimore.

Të paktën gjashtë persona u plagosën lehtë nga sulmet, tha Botner, i cili ishte në grupin e parë të mjekëve të emergjencës që dolën në vendngjarje.

Ushtria izraelite tha se ka kryer disa sulme ajrore gjatë natës në zemër të kryeqytetit iranian, Teheran. Ushtria tha se sulmet shënjestruan objekte për prodhimin e raketave dhe objekte për kërkimin dhe zhvillimin e armëve bërthamore.