Del nga sistemi njësia A3 e Termocentralit Kosova A- KEK njofton për ndërprerje dhe remont

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit “Kosova A” ka dalë papritur nga sistemi gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, më 19 qershor 2025, rreth orës 00:30. Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerja është shkaktuar nga luhatje në sistemin elektrik, duke aktivizuar mbrojtjen automatike të gjeneratorit. Ndërkohë, edhe njësia A5…

Lajme

19/06/2025 14:43

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A3 e Termocentralit “Kosova A” ka dalë papritur nga sistemi gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm, më 19 qershor 2025, rreth orës 00:30. Sipas njoftimit zyrtar, ndërprerja është shkaktuar nga luhatje në sistemin elektrik, duke aktivizuar mbrojtjen automatike të gjeneratorit.

Ndërkohë, edhe njësia A5 është ndalur një ditë më parë, më 18 qershor, pas vërejtjes së një humbjeje të ujit në kaldajë, e evidentuar që nga data 17 qershor. Njësia është mbajtur në funksion përkohësisht, derisa ekipet teknike vendosën ndaljen për të parandaluar dëmtime më të mëdha.

Po ashtu, njësia A4 është jashtë funksioni për shkak të remontit të planifikuar që nga data 16 maj.

KEK ka theksuar se janë duke u ndërmarrë të gjitha masat për rikthimin e njësive në funksion sa më shpejt që të jetë e mundur, në bashkëpunim me institucionet përkatëse të sektorit energjetik, duke garantuar një standard të lartë përgjegjësie dhe llogaridhënieje ndaj publikut.

Njoftimi i plotë:

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) njofton opinionin publik se njësia A3 e Termocentralit Kosova A ka dalë nga sistemi në mënyrë të paplanifikuar, sot më 19.06.2025, rreth orës 00:30.

Kjo ndalesë është shkaktuar si pasojë e luhatjeve në sistemin elektrik, me ç ‘rast ka reaguar sistemi mbrojtës i gjeneratorit, duke shkaktuar ndërprerjen automatike të zgjueses.

Gjithashtu, ju informojmë se në njësinë A5 të TC Kosova A, më 17.06.2025 është vërejtur humbje e ujit në kaldajë. Ekipet teknike kanë monitoruar nga afër situatën dhe e kanë mbajtur njësinë në funksion deri më 18.06.2025 në ora 00:02, kur ajo është ndalur me qëllim të evitimit të ndonjë avarie të përmasave më të mëdha. Ndërkohë, njësia A4 e TC Kosova A ndodhet në remont që nga data 16.05.2025.

Menaxhmenti i KEK sh.a. është i përkushtuar që, përtej adresimit teknik të situatës, të vendoset një standard i lartë i përgjegjësisë dhe llogaridhënies në të gjitha nivelet operuese, si parakusht për garantimin e stabilitetit të sistemit prodhues dhe të besueshmërisë ndaj publikut.

KEK sh.a. siguron opinionin se po ndërmerren të gjitha masat teknike dhe organizative për rikthimin sa më të shpejtë të njësive në funksion, në bashkëpunim të ngushtë me të gjithë aktorët relevantë të sektorit energjetik në vend./Lajmi.net/