Haziri: Ditëve të fundit ministrat po rrinë më shumë në zyrat e Prokurorisë se të Qeverisë – Zgjidhja e vetme për konstituim është Qeveria kalimtare
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri pas dështimit të seancës së 34-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është deklaruar para mediave derisa ka thënë se ky bllokim që po ndodh nuk mund të zgjidhet me procedura por duhet të zgjidhet me marrëveshje politike. Ai ka thënë se ata në vazhdimësi do t’i nënshtrohen rregullit që…

Lajme
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri pas dështimit të seancës së 34-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës është deklaruar para mediave derisa ka thënë se ky bllokim që po ndodh nuk mund të zgjidhet me procedura por duhet të zgjidhet me marrëveshje politike.
Ai ka thënë se ata në vazhdimësi do t’i nënshtrohen rregullit që të shkojnë çdo 48 orë në Kuvend derisa të gjendet një zgjidhje, ndërkaq kanë kërkuar nga partia e parë që ta menaxhojnë detyrën dhe përgjegjësinë e vet që del nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Sipas Haziri, ajo zgjidhje është që t’i japin mundësi që Kuvendi i Republikës së Kosovës të konstituiohet.
“Duhet ta kuptojmë që dy binarët sikur në rastin e parë edhe procedurë edhe marrëveshje politike edhe deputetë edhe ministër nuk mund të funksionoj Qeveria në detyrë. Po e shifni ditëve të fundit që më shumë kalojnë kabineti qeveritar në zyrët e Prokurorisë sesa në zyrët e Qeverisë. Atë kohë që iu mbetet pas gjetjeve dhe dyshimet e bazuara që Prokuroria e shtetit dhe organet i kanë për të gjithë autoritetet e këtij kabineti qeveritar, ata po vazhdojnë me bë vendime kundër kushtetuese dhe është abuzim i pastër me pushtetin. Duhet të sanohet konflikti i interesit me ata përfaqësues në kabinet që kanë dhënë betimin për deputet, praktikisht edhe kjo e ngarkon dhe mund të ndikoj në marrëveshjen politike eventuale, me parti politike që nuk dojnë në asnjë formë me leju që fryma e Kushtetutës dhe shkelja e saj me ndodh çdo ditë dhe mos me e parandalu”, ka thënë Haziri.
Ai gjithashtu ka thënë se Kosova duhet të jetë gati për një moment kur mund të vije një thirrje nga SHBA-të.
“Një agjendë e Shtëpisë së Bardhë që në tavolinë është aktive tash e disa vite dhe që ka shkaktu marrëdhënie të kushtëzume të kësaj Qeverie dhe të këtij kryeministri në detyrë edhe me BE-në edhe me Qeverinë amerikane edhe me qeveritë partnere, po vazhdon të jetë kërkesë e jona që përmes një Qeverie kalimtare të mos presim të krijohen situata kur vjen një qëndrim si ndodhi të shtunen e fundit nga presidenti amerikan, Trump. Ai rastin e Kosovës e nënvizoi si ndërhyrje të tij në ruajtjen e paqes dhe dëmet këto 4 vite që kanë ndodh do ti kthehen. Dëmi më i madh i këtyre katër viteve është marrëveshje Kurti-Vuçiq në Ohër, nga perspektiva jonë që ne e lexojmë kjo është ajo që Kosovës i ka sjell dëmin më të madh. Konfirmimi që do t’i rikthehet nënkupton që duhet të jemi gati, të jemi të përgatitur, Qeveria të ketë legjitimitet, Kuvendi të jetë funksional në mënyrë që të jemi gati kur të ketë një thirrje sepse ajo mund të vjen çdo kohë si herën e parë në Uashington”, ka shtuar ai.
Në lidhje me propozimin e LDK-së për një Qeveri kalimtare, Haziri ka thënë se ai propozim është i ndërtuar në parime dhe dakordime për agjendën dhe formatin e asaj Qeveria.
“Opsione tjera politike, partia e parë nuk po arrin me ndërtu marrëveshje dhe partia e ditë si një bllok për partinë e parë poashtu është e shkurtë në arritjen e një legjitimiteti. Ne dëshirojmë të jemi racional, konkret dhe të zbardhur para qytetarëve. Ne nuk mund të ndalemi me propozime as te rasti i parë as te rasti i dytë me diçka që nuk po arrihet me u maksimalizu dhe me u arrit një shumicë politike në Kuvend, dhe ky është një proces i destinuar me dështu me fillim dhe ne nuk marrim pjesë në këto procese. Ne besojmë që propozimi ynë është i vetmi opsion që mund t’i jep zgjidhje krejt kësaj krize politike që po shkaktohet nga partia e parë”, ka thënë Haziri. /Lajmi.net/