Kërkohet caktimi i masës së paraburgimit ndaj Rexhepit, që u lirua me dorëzani dhe u arrestua sërish për narkotikë e tjetërsim pronash
Prokuroria Speciale ka paraqitur në Gjykatë Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Agim Rexhepit- trafikantit tashmë të njohur të drogës. Rexhepi ishte ndaluar me urdhër të prokurorit special pas hetimeve që PSRK-ja në bashkëpunim me Policinë e Kosovës i ka zhvilluar në kuadër të rasti të koduar si “Qielli i…

Lajme
Prokuroria Speciale ka paraqitur në Gjykatë Themelore në Prishtinë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Agim Rexhepit- trafikantit tashmë të njohur të drogës.
Rexhepi ishte ndaluar me urdhër të prokurorit special pas hetimeve që PSRK-ja në bashkëpunim me Policinë e Kosovës i ka zhvilluar në kuadër të rasti të koduar si “Qielli i thyer”.
Ai është arrestuar nën dyshimet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
“PSRK është duke e hetuar A.R edhe për veprën penale “Shpërlarja e parave” në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Po ashtu u tha se Rexhepi dyshohet ndër të tjera se ka tentuar të bëjë tjetërsimin e pronave për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë dobi pasurore e fituar me veprat penale me qëllimin të shmang procedurën e konfiskimit në të ardhmen.
Duhet përkujtuar që Agim Rexhepi ishte arrestuar më parë në lidhje me trafikimin e 10 kilogramëve narkotikë, por i njëjti ishte liruar për shkak të ndryshimit të masës së paraburgimit në lirim me dorëzani.
Lajmi.net e ka konfirmuar nga gjykata lajmin se i njëjti kishte dhënë 50 mijë euro dorëzani për t’u liruar.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e dorëzanisë në çështjen penale kundër të pandehurit A.R. i dyshuar për veprën penale Blerja, posedimi shpë dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge dhe veprën penale Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, gjyqtari i procedurës paraprake pas shqyrtimit të kërkesës ka marr Aktvendim duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurit A.R. i është zëvendësuar me masën e dorëzanisë”, u tha në përgjigjen e dhënë për lajmi.net.
Po ashtu nga Gjykata u theksua se i pandehuri ishte i obliguar që të deponoj 50 mijë euro në arkë të gjykatës.
“Obligohet i pandehuri A.R. që në emër të dorëzanisë të deponoj shumën në vlerë prej (pesëdhjetë mijë) 50.000 euro, në arkë të gjykatës. Nga gjyqtari i procedurës paraprake në këtë çështje penale jemi informuar se deri më tani, i njëjti nuk ka pranuar ankesë kundër këtij vendimi nga Prokuroria Themelore Prishtinë”.
Por disa ditë më vonë i njëjti përfundoi sërish si i arrestuar nga hetimet që u kryen në rastin e njohur të krimit të organizuar përmes “SKY ECC”.
Aksioni në të cilin u arrestua edhe Agim Rexhepi morën pjesë 600 zyrtarë policorë, e njohur ndryshe si një ndër aksionet më të mëdha policore anti-drogë./Lajmi.net/