Ngricat pranverore shkaktuan dëme tek pemët me lulëzim të hershëm
Ngricat pranverore të cilat mbizotëruan në vendin tonë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme tek pemët me lulëzim të hershëm. Profesori në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, Vahid Avdiu, ka monitoruar pothuajse të gjitha llojet e pemëve në mbarë territorin e Kosovës. Ai thotë se më të dëmtuarat janë qershia, kajsia dhe dardha. “Temperaturat e ulëta…

Lajme
Ngricat pranverore të cilat mbizotëruan në vendin tonë kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme tek pemët me lulëzim të hershëm. Profesori në Fakultetin e Bujqësisë në Prishtinë, Vahid Avdiu, ka monitoruar pothuajse të gjitha llojet e pemëve në mbarë territorin e Kosovës. Ai thotë se më të dëmtuarat janë qershia, kajsia dhe dardha.
“Temperaturat e ulëta që mbizotëruan në Kosovë në fund-prill e fillim-maj kanë shkaktuar dëme tek pemët që kanë pasur lulëzim të hershëm, e këtu hyn qershia, kajsia dhe dardha”, thotë Avdiu.
Tutje, ai thotë, se rezistenca e pemëve ndaj ngricave varet kryesisht nga koha kur lulëzon ajo.
“Kumbullat që kanë lulëzuar herët janë dëmtuar plotësisht, derisa ato me lulëzim të vonshëm janë dëmtuar pjesërisht. Zona e Dukagjinit, e cila shpesh herë ka qenë më e mbrojtur nga ngricat, këtë vit është dëmtuar më së shumti nga to”, thotë Avdiu, duke shtuar se edhe kultura e dardhës është plotësisht e dëmtuar.
Ai thotë se pos dardhës, dëmet janë mjaft të larta edhe tek vishnjat dhe qershitë.
“Kultura e mollës për dallim nga këto të parat ka pësuar më pak. Dëmi te to është i pjesshëm. Dëmet nga temperaturat e ulëta të muajit prill dhe maj nuk mungojnë edhe te kultura e rrushit”, thotë Avdiu.
Sipas tij, këtë vit, pemët e kultivuara në vendet afër lumenjve dhe pellgjeve kanë pësuar dëme më të mëdha nga i ftohti i muajit maj në krahasim me atë të muajit prill.
“Dëme më të mëdha gjatë muajit maj kanë pësuar edhe pemët që janë kultivuar në lartësi më të mëdha mbidetare. Pa dëme nga këto temperatura të ulëta nuk kanë mbetur edhe kulturat e arrave. Diku dëmi mund të arrijë deri në 50 për qind”, shprehet ai.
E sa i përket kulturës së lajthisë disa kultivarë kanë pësuar dëme shumë të mëdha e disa dëme të pjesshme.
Ndërkaq, për të arritur deri te të dhëna më të sakta të trendëve klimatike, si për fakultetin e po ashtu për studentët, profesori Avdiu thotë se përdorin stacionet meteorologjike, ku në këto hapësira të fakultetit tashmë e kanë montuar të dytin.
Po ashtu, pa dëme edhe pse dukshëm më të vogla, nga temperaturat e ulëta gjatë muajit prill dhe maj nuk ka mbetur as sektori i perimtarisë.
Eksperti i Bujqësisë, Besim Sahiti thotë se fat i madh përballë kësaj fatkeqësie në vendin tonë, ishte koha e kultivimit të perimeve, pasi siç thotë ai, tek ne në muajin prill, perimet kultivohen kryesisht në ambiente të mbrojtura.
“Përkundër që dëmet në aspektin vizuel nuk duken të mëdha, dëmet të bimët janë shkaktuar në aspektin fiziologjik, pra në fuqitë prodhuese të tyre. Por dëmi nga temperaturat e ulëta nuk ka ndodhur vetëm në fuqitë numerike prodhuese të bimës. Rënia e temperaturave ka shkaktuar strese të cilat kanë ndikim në aktivitetin fiziologjik të bimës. Kulturat e prekura janë kryesisht domatja, speci dhe trangulli”, thotë Sahiti në RTK.
Për të ulur efektin stresues te bimët, Sahiti u sugjeron fermerëve ndërmarrjen e masave ushqyese të tyre. Ndryshimet klimatike të cilat tash e disa vite janë evidente edhe në vendin tonë, Sahiti thotë se duhet që të shtyjnë fermerët të ndërmarrin disa masa paraprake, për përballje me uljen e temperaturave.
Krahas uljes së temperaturave në pranverën e vonë, në vendin tonë fermerët po ballafaqohen edhe me ngritje të mëdha të temperaturave gjatë verës. E sipas, Sahitit krahas ujitjes, duhet të bëhet edhe ushqimi adekuat i bimëve.