Në 14 vjetorin e vdekjes, Abdixhiku kujton Nekibe Kelmendin: Nuk e ndali kurrë betejën për liri, demokraci dhe drejtësi.
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar Nekibe Kelmendin në 14 vjetorin e vdekjes së saj, për të cilën ka shprehur mirënjohje të thellë. Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ajo nuk ishte thjesht politikane, as vetëm ministre apo deputete por ishte zëri i së drejtës në kohët kur padrejtësia sundonte. “Ajo…

Lajme
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka përkujtuar Nekibe Kelmendin në 14 vjetorin e vdekjes së saj, për të cilën ka shprehur mirënjohje të thellë.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se ajo nuk ishte thjesht politikane, as vetëm ministre apo deputete por ishte zëri i së drejtës në kohët kur padrejtësia sundonte.
“Ajo ishte nënë, bashkëshorte, por mbi të gjitha bija e përkushtuar e Kosovës që nuk e ndali kurrë betejën për liri, demokraci dhe drejtësi. Pra sot, kujtojmë politikanen Nekibe Kelmendi, Ministren e Drejtësisë, deputeten e Kuvendit të Kosovës, nënkryetaren e LDK-së, e veprimtaren e madhe të Kosovës. Nekibe Kelmendi hyri herët në lëvizjen e rezistencës, si veprimtare e aktiviste e palodhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës si dhe luftëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut. Ajo la gjurmë të pashlyeshme si veprimtare e paepur e çështjes kombëtare, aktiviste politike, avokate, deputete e ministre e drejtësisë”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se Nekibe Kelmendi mbante në zemër dhembjen e humbjes së bashkëshortit të saj Bajram Kelmendit dhe dy djemve, Kastriotit e Kushtrimit të cilët janë vrarë nga forcat serbe.
“Por ajo, në vend që të thyhej, u ngrit. Dhimbjen e ktheu në forcë, plagën në ideal, dhe jetën e saj në një betejë të përditshme për ndërtimin e një shteti të lirë dhe të drejtë. Pra, me gjithë plagët shpirtërore, mbi dhimbjen e saj projektoi dhe idealin për pavarësi e demokraci, duke e vazhduar kauzën e shtetndërtimit edhe më fuqishëm. Nekibe Kelmendi ishte dhe mbeti bashkëpunëtore e palëkundur e Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, në rrugëtimin e ndërtimit të shtetit të Kosovës. Në çdo hap, ajo la pas vlera, guxim dhe dinjitet. Në këtë përvjetor e çdoherë kur kujtojmë jetën dhe veprën e saj na shfaqet modeli i gruas që frymëzoi gjeneratat pas saj, se ideali i lirisë ka çmimin e jetës”, ka shtuar Abdixhiku. /Lajmi.net/
Postimi i tij i plotë: