Banorë të Teheranit dhe Jerusalemit rrëfehen për jetën mes përshkallëzimit të luftës
Me gjithë luftimet e vazhdueshme me Izraelin, raftet në shumë supermarkete në Teheran vazhdojnë të jenë të mbushura me furnizime. “Nuk ka kush të blejë gjëra”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë Mahsa, banore e një lagjeje perëndimore të kryeqytetit iranian. Ajo vlerëson se 60-70 për qind e banorëve të lagjes së saj zakonisht të…

Bota
Me gjithë luftimet e vazhdueshme me Izraelin, raftet në shumë supermarkete në Teheran vazhdojnë të jenë të mbushura me furnizime.
“Nuk ka kush të blejë gjëra”, shpjegon për Radion Evropa e Lirë Mahsa, banore e një lagjeje perëndimore të kryeqytetit iranian.
Ajo vlerëson se 60-70 për qind e banorëve të lagjes së saj zakonisht të gjallë, kanë ikur si pasojë e bombardimeve izraelite ndaj Iranit.
Supermarketi në lagjen e saj, që zakonisht qëndron hapur deri në mesnatë, tani mbyllet rreth orës 21:00, për shkak të mungesës së myshterinjve.
Në rrugët ku dikur i duhej të bënte disa xhiro për të gjetur vend parkimi, Mahsa thotë se sot “në rrugën time ka vetëm dy ose tri makina; është paksa e frikshme dhe shumë e trishtueshme”.
Ata pak banorë që kanë mbetur qëndrojnë kryesisht në shtëpi, dhe shumica e bizneseve janë të mbyllura tani.
Në rrugë “vetë ajri që thith është i trishtuar”, thotë Mahsa.
Shumë banorë të Teheranit kanë shkuar drejt veriut, në bregun e Detit Kaspik, i cili është vend tradicional pushimi për njerëzit nga kryeqyteti iranian.
Mahsa, e cila i kërkoi që REL-it të mos ia përmend mbiemrin e saj për arsye sigurie, ka zgjedhur të qëndrojë dhe të përballet me çdo gjë që do të ndodhë.
Ajo thotë se, kur sulmet izraelite filluan më 13 qershor, “unë u trondita shumë. Arrita ta mbush vetëm një çantë me gjërat më të ndjeshme dhe thelbësore për mua”.
Por, megjithëse miqtë dhe të afërmit e nxisnin të largohej nga kryeqyteti, ajo tregon: “Thashë, ‘o Zot, nuk dua të largohem nga shtëpia ime’”.
Në zonën e saj të Teheranit, e njohur si vend i parapëlqyer i të rinjve, ajo beson se nuk ka objektiva ushtarake.
“Jam shumë e bindur në zemrën time se [izraelitët] nuk do t’i shkatërrojnë thjesht shtëpitë e njerëzve pa ndonjë qëllim”, thotë ajo.
Thuhet se më shumë se 500 njerëz janë vrarë në Iran nga sulmet izraelite që nga 13 qershori. Fotografitë e kapura nga fotoreporterë në Teheran tregojnë njerëz të plagosur rëndë, përfshirë fëmijë, pas sulmeve në kryeqytet.
“Izraeli dhe Amerika janë armiqtë tanë”, thotë Mahsa. “Por, është sikur i besoj më shumë atyre sesa Qeverisë sime. Kjo është gjendje shumë e keqe”.
Ajo shton se, në rrethin e saj të iranianëve të klasës së mesme, shumica shpresojnë që konflikti të çojë në rrëzimin e regjimit iranian, kryesisht për shkak të gjendjes së rëndë ekonomike.
Që nga pandemia e COVID-19, thotë ajo, kostot janë rritur aq shumë sa “nuk ke asgjë, nuk mund të planifikosh asgjë, madje as një udhëtim të vogël njëditor”.
Sipas saj, edhe ushqimet më të thjeshta janë gjithnjë e më të paarritshme për banorët e zakonshëm të Teheranit.
“Për shembull, nëse gjithmonë ke pasur diçka si ullinj në kuzhinë, tani nuk mund t’i kesh”, thotë ajo. “Më pas, i ke një herë në muaj, pastaj një herë në vit, dhe pastaj duhet t’i heqësh fare nga jeta”.
“Këto ditë, njerëzit këtu në Iran, shumica prej tyre, do të thotë njerëzit e zakonshëm, si unë, të klasës së mesme, kanë para vetëm për të ngrënë dhe për të udhëtuar nga një vend në tjetrin brenda qytetit”, shton ajo.
“Kur qëndron në këtë gjendje për dy ose tri vjet, bëhesh i pashpresë, thjesht mendon: çfarë po bëj? Të gjithë e dimë që gjithçka mund të jetë shumë e vështirë pas këtij [konflikti], por kemi këtë shpresë, edhe nëse është shumë e vogël, se diçka mund të ndryshojë”, thekson ajo.
Në Izrael, gazetarja Nicole Jansezian ndalet derisa flet për REL-in për të kontrolluar një paralajmërim për raketa iraniane. Pasi e merr vesh se paralajmërimi nuk ndikon vendin pranë banesës së familjes së saj në Jerusalem, ajo vazhdon të flasë.
Jansezian e krahason jetën në Izrael sot me izolimet e COVID-it.
“Shkollat janë mbyllur, po ashtu edhe vendet e punës dhe argëtimit si restorantet, palestrat, etj”, thotë ajo.
Ajo dokumenton jetën e përditshme nën raketat iraniane dhe thotë për REL-in se beson se ka mbështetje e gjerë, të paktën midis izraelitëve hebrenj, për sulmet ndaj Iranit, të cilat ushtria izraelite i ka quajtur “Operacioni Luan i Zgjuar”.
Megjithatë, ajo thotë se kjo mbështetje publike mund të lëkundet nëse viktimat civile në Izrael vazhdojnë të shtohen. Njëzet e katër njerëz janë vrarë në Izrael që kur Irani filloi sulmet e tij me raketa dhe dronë.
“Të vraposh në strehime në mes të ditës, në mes të natës, dhe të mos kesh asnjë rutinë, është diçka për të cilën nuk kanë shumë durim izraelitët”, shton ajo.
Derisa konflikti me Iranin vazhdon t’i mbizotërojë titujt e lajmeve, ajo thotë se pengjet izraelite të rrëmbyera nga Hamasi gjatë sulmeve të 7 tetorit 2023 janë zhdukur nga lajmet, “gjë që është vërtet zhgënjyese për familjet e tyre”.
Megjithëse thekson se askush nuk ka pasur kohë të matë opinionin publik në mënyrë të plotë, Jansezian thotë se mendon se shumica e izraelitëve shpresojnë që sulmet ndaj Iranit të sjellin fundin e regjimit islamik në Teheran.
Izraelitët “ndihen vërtet sikur populli iranian është për ne, dhe ne jemi për ta”, thotë gazetarja, duke iu referuar protestave në Izrael në mbështetje të lëvizjes protestuese “Grua, Jetë, Liri” në vitin 2022.
“Mendoj se izraelitët besojnë, dhe ndoshta edhe populli iranian, se ata kanë armik të përbashkët – që armiku i Izraelit dhe armiku i popullit iranian është regjimi iranian”, shton ajo. “Dhe kështu ata me të vërtetë shpresojnë për një fund të tij”.