Bislimi pas intervistimit: Qëllimi i tij ishte prodhimi i lajmit medial – Informacionet që prezantova sot mund të grumbulloheshin pa u intervistuar fare
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale në lidhje me fabrikën e mbetjeve shtazore në Drenas. Në lidhje me këtë, Bislimi nuk është deklaruar për media por ka bërë një postim në rrjetin social Facebook. Ai ka thënë se asnjë pyetje që i është bërë për rreth 1 orë…

Lajme
Zëvendëskryeministri në detyrë i Kosovës, Besnik Bislimi është intervistuar sot nga Prokuroria Speciale në lidhje me fabrikën e mbetjeve shtazore në Drenas.
Në lidhje me këtë, Bislimi nuk është deklaruar për media por ka bërë një postim në rrjetin social Facebook.
Ai ka thënë se asnjë pyetje që i është bërë për rreth 1 orë e 30 minuta nuk mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari.
“Arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa patur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian”, ka shkruar Bislimi.
Ai ka thënë se ftesa për intervistim ndaj tij ishte prodhimi i lajmit medial.
“Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet”, ka shkruar Bislimi.
Besnik Bislimi është ftuar për t’u intervistuar në lidhje me hetimet që po bëhen për skandalin e publikuar për kontratën e dhënë për fabrikën e mbetjeve shtazore.
Në këtë hetim i përfshirë është edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Më 27 maj, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci është intervistuar për më shumë se tri orë nga organet e hetuesisë në cilësinë e të pandehurit, pikërisht në rastin e njëjtë.
Peci pati deklaruar se Bislimi ishte interesuar rreth fabrikës dhe e pranoi se ai dy herë e kishte ftuar në zyrë për këtë çështje.
“Unë jam kthy në Ministri e kam transmetu shqetësimin e zëvendëskryeministrit për nevojën për funksionalizimin e kësaj fabrike”, kishte thënë Peci.
Postimi i plotë i Bislimit pa ndërhyrje:
Sot isha në prokuri i ftuar në cilësinë e dëshmitarit në hetimet e prokurorisë rreth funksionalizimit të fabrikës për nënproduktet shtazore në Drenas. Intervista zgjati diku 1 orë e 30 minuta dhe përgjatë kësaj kohe nuk kishte asnjë pyetje që mund të cilësohet si pyetje drejtuar një dëshmitari. Poashtu arrita të konfirmoj që të gjitha informacionet që prezantova sot kanë mund të grumbullohen shumë lehtë pa patur nevojë fare për intervistim. Do të kishte mjaftuar një studim minimal për detyrat dhe përgjegjësitë e zëvendëskryeministrit brenda portfolios së integrimeve evropiane dhe një shfletim i shpejtë i raporteve për vendin ndër vite nga Komisioni Evropian.
Nisur nga fakti se hyrja e ndërtesës ku u mbajt intervista ishte vërshuar nga portalet, gjë që nuk ndodh më raste të tjera kur ftohen dëshmitarët, dhe nga përvoja e nxjerrjes në media të lajmit për intervistim saktësisht kur po zhvillohej takimi trilateral i dialogut në Bruksel, del i pashmangshëm përfundimi se qëllimi parësor i kësaj interviste ka qenë prodhimi i lajmit medial, ku eksponentë të qeverisë bëhen pjesë e titujve bashkë me termin “skandal”. “Skandal” që origjinën nuk e ka as në Ministri të linjës e as në prokurori, por te eksponentë të medias. Kjo e vendosë prokurorinë në një perspektivë jashtëzakonisht negative karshi përgjegjësive që ka dhe orientimit që ka zgjedhur të ndjekë. Do të ishte me interes të shumëfishtë që kjo qasje të rishikohet.