Hykmete Bajrami: Tash e pesë vjet nuk rishikohet buxheti – Albini me kabinetin s’kanë lënë asnjë projekt trashëgimi

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka akuzuar Qeverinë në detyrë se po bëjnë shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës. “Është situatë jashtëzakonisht e rëndë në të cilën po kalon vendi, siç e thatë edhe ju – katër muaj pas zgjedhjeve ne ende nuk e kemi Kuvendin e konstituar, për më tepër në…

Lajme

18/06/2025 11:48

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka akuzuar Qeverinë në detyrë se po bëjnë shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës.

“Është situatë jashtëzakonisht e rëndë në të cilën po kalon vendi, siç e thatë edhe ju – katër muaj pas zgjedhjeve ne ende nuk e kemi Kuvendin e konstituar, për më tepër në Qeveri kemi shkelës të Kushtetutës, të cilët nëse jo më herët, është e qartë për mua që nga dita që kanë bërë betimin janë në shkelje të vazhdueshme të Kushtetutës”, deklaroi ajo.

 

 

Bajrami thotë se Kurti me kabinetin e tij i kanë marrë peng zyrat e Qeverisë.

“Albini dhe ish-kabineti i tij kanë marrë peng zyrat e qeverisë dhe kjo po u kushton qytetarëve të vendit në baza ditore. Mjafton të shikojmë vetëm sektorin e energjisë dhe mund ta marrim me mend se çfarë po ndodh – gjendje kaotike me furnizimin me energji elektrike të rreth gjysmës së ekonomisë së Kosovës”, u shpreh ajo.

 

 

Ajo foli edhe për rishkimin e buxheti që pritet të bëhet në qershor.

Bajrami deklaron se nuk rishikohet buxheti prej që ka ardhur në pushtet Qeveria Kurti.

“Ndërsa sa i përket rishikimit të buxhetit, më lejoni t’ju rikujtoj se Qeveria Kurti, edhe kur ka pasur mandate të plotë gjatë katër viteve, asnjëherë nuk ka bërë rishikim të buxhetit dhe edhe kur ka ndodhur rishikimi, ka qenë vetëm ndonjë rregullim teknik. Por Kosova po hyn në vitin e pestë pa pasur rishikim. Tani dëmi më i madh Kosovës nuk i vjen nga mungesa e rishikimit të buxhetit, por nga njerëz që kanë marrë peng zyrat dhe nuk kanë legjitimitet pa u votuar në Kuvend për të marrë asnjë vendim me rëndësi”, u shpreh deputetja për Periskopin.

Deputetja thotë se Qeveria Kurti 2 nuk ka lënë asnjë projekt që të jetë trashëgimi e tyre.

 

 

Ajo thekson se ka ngecje të mëdhaja në realizimin e projekteve.

“Tani gati po bëhen pesë vite, ku për shkak se nuk ka pasur rishikim të buxhetit dhe keqmenaxhim, kemi pasur ngecje të mëdha në realizim të projekteve. Qeveria Kurti 2 nuk ka lënë asnjë projekt të madh që të jetë trashëgimi – asnjë”, u shpreh deputetja Bajrami.

 

 

Hykmete Bajrami është pyetur për projektet që rrezikohen të mos realizohen.

Ajo përmendi disa prej tyre.

 

 

Megjithatë, Bajrami potencoi po ashtu se kjo qeveri ka bërë selektim të komunave duke ndarë mjete më shumë për ato që i udhëhiqet.

“Tashmë është evidente që Qeveria Kurti 2 i ka bllokuar komunat. Ka pasur raste kur me muaj dhe vite u janë bllokuar të hyrat vetanake. Njihet si qeveria që ka bërë shpërndarjen më politike të buxhetit, duke ndarë projekte nga MMPHI mbi 2 milionë për Shtimen që udhëhiqet nga LVV-ja dhe vetëm 200 mijë për Pejën që udhëhiqet nga LDK-ja. Komunave nuk u është ndihmuar në asnjë rast dhe ka shumë projekte që kanë ngelur pa u realizuar si pasojë e qasjes aspak profesionale nga ana e qeverisë”.

“Tani ka shumë projekte që kanë ngelur pa u realizuar, të rëndësisë vitale, por po të përmend dy sosh: edhe sot e kësaj dite ka fshatra në Komunën e Dragashit që nuk kanë qasje në ujë të pijshëm dhe Qeveria nuk ka pranuar kërkesën e kësaj komune dhe as të deputetëve të Kuvendit që të ndahet buxhet për një projekt të tillë. Mandej kemi deponinë regjionale të mbeturinave në Pejë, ku hidhen mbeturinat e 5 komunave. Përkundër faktit se Komuna e Pejës kishte ndarë 3 milionë euro, BE-ja 6 milionë, Qeveria nuk ndau buxhet. Më pas edhe për shkak të masave ndëshkuese të BE-së, ky projekt s’u bë asnjëherë. Kjo deponi tashmë është shndërruar në katastrofë natyrore dhe jo vetëm – pasojat e të cilës po i paguajnë rëndë banorët e asaj zone”, deklaroi ajo.

Buxheti nuk mund të rishikohet derisa Kuvendi ende s’është konstituuar, thotë deputetja Bajrami.

Ajo ka thënë se as vetë Qeveria nuk mund ta ndryshojnë.

“Buxheti është ligj i cili votohet në Kuvend dhe ndryshimi e plotësimi i këtij ligji, sikurse edhe i ligjeve të tjera, bëhet vetëm përmes Kuvendit. Për më tepër, as këta që kanë marrë peng zyrat e qeverisë nuk kanë asnjë të drejtë ligjore ta ndryshojnë buxhetin”, tha ajo ndër të tjea.

Hykmete Bajrami ka thënë se për pesë vitet e fundit, Qeveria në detyrë ka investime tejet të ulëta.

“Sa i përket ligjit, rishikimi i buxhetit nuk është domosdoshmëri ligjore, por është praktikë e mirë menaxheriale që rrit efikasitetin dhe efektivitetin e parasë publike. Kur nuk realizohen projekte apo kur prioritetet ndryshojnë, buxheti duhet të përshtatet. Në mungesë të rishikimit, por edhe për shkak të kemenaxhimit për pesë vite me radhë kemi realizim tejet të ulët të investimeve dhe nuk kemi asnjë projekt të madh publik që Qeveria Kurti I dhe II ja ka lënë këtij vendi”, u shpreh ajo.

Ndërkaq LDK, Bajrami thotë se ka dhënë zgjidhje konkrete vetëm e vetëm për të dalë nga ngërci.

“LDK-ja ka dorëzuar kallëzim penal për 17 anëtarë të qeverisë në detyrë, për shkak të ushtrimit të kompetencave përtej mandatit. Jemi në proces të plotësimit të dokumentacionit të kërkuar nga Prokuroria Speciale. Për më tepër, kemi propozuar zgjidhje konkrete për të dalë nga ngërçi institucional ku LVV e ka futur vendin”, u shpreh në fund për Periskopin, deputetja Bajrami.

Buxheti për vitin 2025 u miratua në parim më 11 nëntor. Buxheti për vitin 2025 është paraparë të jetë 3.6 miliardë euro.