Albin Kurti me ministra shumë- Prokuroria Speciale shndërrohet në “shtëpi të dytë” për njerëzit e kabinetit të Qeverisë Kurti

Ministra e zëvendëskryeministra të Qeverisë Kurti e kanë mësuar mirë rrugën për të shkuar në Prokurorinë Speciale. Gjatë këtij mandati, eksponentë të rëndësishëm të Qeverisë Kurti janë paraqitur si shpesh në Prokurorinë Speciale për raste të ndryshme të cilat janë në hetim e sipër nga autoritetet e hetuesisë shkruan lajmi.net. Përpos zv/ministrave, e zyrtarëve të…

Lajme

18/06/2025 10:37

Ministra e zëvendëskryeministra të Qeverisë Kurti e kanë mësuar mirë rrugën për të shkuar në Prokurorinë Speciale.

Gjatë këtij mandati, eksponentë të rëndësishëm të Qeverisë Kurti janë paraqitur si shpesh në Prokurorinë Speciale për raste të ndryshme të cilat janë në hetim e sipër nga autoritetet e hetuesisë shkruan lajmi.net.

Përpos zv/ministrave, e zyrtarëve të ndryshëm shtetëror që përfunduan nën hetime si të dyshuar, e disa të intervistuar edhe si dëshmitarë- nga Prokuroria Speciale shpesh herë u thirrën edhe krerët e ministrive, e vetë kryeministri tanimë në detyrë, Albin Kurti.

ROZETA HAJDARI

Fillimisht, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndëmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari ishte ftuar nga prokuroria si e dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në lidhje me çështjen e rezervave shtetërore.

Hajdari që ishte ftuar nga Prokuroria në vitin 2024, ishte mbrojtur në heshtje për këtë çështje.

Prokuroria Speciale për këtë skandal kishte bastisur zyrat e kësaj ministrie dhe kishte konfiskuar prova materiale.  Po ashtu në lidhje me këtë çështje kishte pasur edhe arrestime.

Në një intervistë që e kishte pasur në nëntor të vitit të kaluar në RTK, Rozeta Hajdari ishte nervozuar me pyetjet e gazetarit për këtë çështje.

“A je prokuror”, “Mbylle këtë temë”, ishin përgjigjet e ministres.

Për këtë skandal është i ftuar edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, por i cili po refuzon të paraqitet, duke kërkuar nga prokurorët t’i shkojnë në zyrën e tij.

Pavarësisht ftesave të Prokurorisë disa herë radhazi nga Kurti pati vetëm refuzim. Ai zgjodhi që të mos paraqitet si dëshmitar, duke kërkuar nga prokurorët që intervistimin t’ia bëjnë veç tek zyra e tij në Kryeministri.

Kurti madje pati deklaruar se kjo gjë ishte përdorur si metodë edhe në raste të tjera dhe pse të mos bëhet njësoj edhe tani- ani pse pikërisht rreth këtyre çështjeve ishte tejet kritik sa ishte në opozitë.

Kurtit madje iu shqiptua edhe një gjobë nga autoritetet e hetuesisë në lidhje me mos-paraqitjen e tij në intervistim. E intervistimi i tij ka mbetur “pezull”, pasi ai as nuk u paraqit dhe as nuk u ftua më.

ARTANE RIZVANOLLI

Vitin e kaluar në Prokurori ishte edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Intervistimi i Rizvanollës u bë në lidhje me rastin e ish-kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqi. Ajo ishte përmendur në mesazhet e Krasniqit me Dejona Mihalin.

Ministrja ishte ftuar për intervistim në cilësinë e dëshmitares për aferën për riparimin urgjent të kalldasë në bllokun A4.

“E njëjta është duke u intervistuar në cilësinë e dëshmitares për një çështje penale, të cilën kjo prokurori e ka në hetim”, thuhej nga Prokuroria asokohe.

Njësoj pati vepruar edhe Rizvanolli pas intervistimit, duke mos dhënë detaje në lidhje me paraqitjen e saj në Prokurori.

ALBULENA HAXHIU

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu me 22 korrik ishte intervistuar nga Prokuroria Speciale.

Haxhiu ishte intervistuar në lidhje me deklaratën e bërë, ku arratisjet nga burgjet i ndërlidhte me Serbinë.

“E rëndësishme të potencohet fakti që arratisja e disa personave që po kërkohen nga institucionet përgjegjëse në Republikën e Kosovës po bëhet vetëm në një drejtim: atë të territorit të Serbisë. Informacionet e organeve tona sugjerojnë që së paku në disa raste, këto arratisje janë cytur, organizuar, bashkëorganizuar e lehtësuar nga grupe kriminale të lidhura me struktura të pushtetit në territorin e Serbisë. Ky organizim konsiston në dhënien e garancisë që për personat e tillë territori i Serbisë, grupet kriminale atje, e nivele të caktuara të pushtetit, u ofrojnë mburojë nga ndjekja penale e Republikës se Kosovës”, shkruante ajo në Facebook.

Ajo këtë postim e kishte bërë një ditë pasi i arratisuri nga burgu i Smrekonicës në Kosovë, Faton Hajrizi, ishte vrarë nga autoritetet në Serbi.

“Me urdhër të Prokurorisë Speciale jam intervistuar dje dhe sot në një rast që ka të bëjë me një deklaratë timen që se kam thënë për herë të parë, pasi ka kohë që unë deklaruar asisoj, në RTV Dukagjini në një emision, që ndërlidhet me përpjekjet e prokurorëve apo sistemit të drejtësisë, prokurorit gjyqtarë për takime, favore dhe të tjera. Me që rast kam shpjeguar që ne si Qeveri nuk funksionojmë asisoj, si në të kaluarën, por që ne e kemi për obligim që t’i adresojmë reformat në drejtësi për të cilat po punojmë në vazhdimësi dhe duket që dikujt po i pengon, andaj dhe Prokuroria Speciale po tenton të më pengoj në punën time, me që rast edhe e keni parë në vazhdimësi, çfarëdo deklarate që unë e kam dhënë, ata kanë bërë autorizim për policinë për të dhënë apo marrë deklaratën time. Rasti i dytë ka të bëjë me një reagim timin në Facebook, i cili vjen si një kundërpërgjigje ndaj përpjekjes së radhës së Qeverisë së Serbisë, përmes zëdhënësit Ivica Daçiq, i cili tentoi që ngjarjen që ka ndodhur në Loznicë, ta ndërlidhë me një sulm terrorist që kinse të përgatitur nga Republika e Kosovës.”, tha Haxhiu para gazetarëve.

Po ashtu ajo ka thënë se Prokuroria më shumë rri në profilet e saj, se sa që merret me përgjegjësitë që ka.

FATON PECI

E natyrisht primatin për t’u intervistuar e hetuar nga kjo Qeveri po e mban dukshëm ministri i Bujqësisë, Faton Peci.

Ministri Peci në fund të muajit të kaluar ishte ftuar për intervistim nga Prokuroria Speciale në lidhje me skandalin për kontratën për mbetjet shtazore.

Pas intervistimit, Prokuroria kishte kërkuar kodin e telefonit të Pecit për çështje hetimi, por ai kishte refuzuar t’ia jepte.

Peci dyshohet se pa ankand publik, ia ka dhënë një kompanie me qira për 20 vjet pronën për impiantin për mbetjet shtazore, duke bërë shkelje.

Prokuroria Speciale kishte zbarkuar në Ministrinë e Bujqësisë javë më parë në lidhje me dyshimet mbi këtë çështje. Gjatë bastisjes, Prokuroria kishte konfiskuar materiale të ndryshme, që ndërlidhen me këtë kontratë.

Pas intervistimit nga Prokuroria, Faton Peci kishte dal me një reagim duke thënë “Ka Zot”.

“Të dashur qytetarë, miq e familjarë; U jam mirënjohës për shprehjen e shqetësimit si dhe për solidaritetin e treguar gjatë ditës së djeshme, me rastin e intervistimit tim nga organet e rendit dhe drejtësisë. Me theks të vecantë, ju drejtohem 133,987 qytetarëve që më kanë dhuruar gjënë më të shenjtë; besimin! Jam i bindur që epilogu i këtij procesi do të jetë i njohur për ju sikurse është i njohur për rreth 30 mijë fermerë, që përfitojnë në baza vjetore subvencione dhe grante e që njëherit janë dëshmitarët më të vëmendshëm në cdo cep të Kosovës. Ata, më së miri e dinë se në funksion të kujt, e kam kryer detyrën zyrtare. Çdo shkronjë, fjalë, si në të shkruar ashtu edhe e thënë, është e qasshme për secilin që ka interesim. Kosova, si vend i bekuar ka një popull të mrekullueshëm, e mbi qiellin e kësaj toke e këtij populli, ka Zot!”, shkroi Peci në Facebook.

BESNIK BISLIMI

Në lidhje me kontratën për fabrikën për mbetje shtazore, nga Prokuroria Speciale është duke u intervistuar sot edhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi.

Zëvendëskryeministri ishte përmendur nga ministri Faton Peci në një intervistë të dhënë në Kallxo.com.

Ministri i Bujqësisë, Faton Peci kishte thënë se Bislimi e kishte ftuar dy herë në takim atë për të biseduar në lidhje me kontratën për fabrikën për mbetje shtazore, shkruan lajmi.net

“M’ka ftu dy herë në zyre për këtë temë edhe bashkë me stafin që merret me vlerësimin e mekanizmave evropian. Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka thënë nuk është e rëndësishme sa ka me pas kosto financiare”, kishte thënë ndër të tjera Peci në intervistën e tij.

Në këtë skandal dyshohet të jetë i përfshirë Florin Bislimi, vëllai i zëvendëskryeministrit.

Pas çdo intervistimi apo thirrje nga organet e drejtësisë, Lëvizja Vetëvendosje dhe eksponentët e saj kanë sulmuar Prokurorinë dhe duke ju dal në mbrojtje atyre që po dyshohen apo që po intervistohen si të dyshuar në afera e skandale korruptive.

Një nga akuzat më të shpeshta të eksponentëve të VV-së është se organet e drejtësisë janë të kapura e po e luftojnë Qeverinë Kurti, duke mos dhënë fakte mbi këtë.

Madje shpesh herë nga Vetëvendosje janë kritikuar e “sulmuar” me llojlloj deklarimesh pikërisht prokurorët e gjyqtarët- me emra të përveçshëm e të cilët po hetojnë raste nga më të ndryshmet korruptive në Kosovë./lajmi.net/