Skandal në Morgun e Tiranës: Trupa të dekompozuar, 18 trupa ‘palosen’ në dy frigoriferë me katër vende
Në Morgun e Tiranës është konstatuar një situatë alarmante, ku trupat e pajetë janë mbajtur jashtë frigoriferëve, të dekompozuara dhe në gjendje të rëndë higjieno-sanitare. Pamje të siguruara nga brenda ambienteve tregojnë trupa që kishin nisur procesin e dekompozimit, disa prej tyre të mbushura me krimba, për shkak se frigoriferët nuk funksiononin. Një qytetar, i…

Lajme
Në Morgun e Tiranës është konstatuar një situatë alarmante, ku trupat e pajetë janë mbajtur jashtë frigoriferëve, të dekompozuara dhe në gjendje të rëndë higjieno-sanitare.
Pamje të siguruara nga brenda ambienteve tregojnë trupa që kishin nisur procesin e dekompozimit, disa prej tyre të mbushura me krimba, për shkak se frigoriferët nuk funksiononin.
Një qytetar, i cili kishte ardhur nga Italia për të identifikuar një të afërm të tij, është përballur me një skenë tronditëse: trupi i pajetë që i ishte paraqitur për identifikim ishte në gjendje të avancuar dekompozimi.
Në këto ambiente janë parë kufoma të shtrira në pllaka, si dhe të tjera të mbështjella, të lëna mbi barela jashtë frigoriferëve. Era e rëndë dhe gjendja e trupave e kishte kthyer morgun në një vend të papërshtatshëm për qëndrimin e kufomave, duke ngritur alarmin për mungesë të kushteve minimale.
Sipas të dhënave zyrtare, kapaciteti i morgut është për 17 kufoma, ndërkohë që në momentin e konstatimit aty ndodheshin 29 trupa. Institucioni disponon tre frigoriferë: dy me kapacitet 8 vende dhe një tjetër për 9 vende. Në praktikë, vetëm një frigorifer funksiononte plotësisht, ndërsa dy të tjerë ishin jashtë funksionit ose punonin me kapacitet të reduktuar.
Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Bledar Xhemali, për Fiks Fare, fillimisht mohoi situatën, por pas përballjes me pamjet e siguruara, e justifikoi gjendjen e trupave si pjesë të procesit të dekompozimit natyral. Për pyetjet e mëtejshme, drejtuesi i institucionit shmangu përgjigjet.
Vetëm dy ditë pas daljes së këtyre pamjeve, nisi pastrimi i ambienteve dhe zhvendosja e 11 trupave në morgjet e Fierit dhe Elbasanit. Gjithashtu, u vu në funksion një prej frigoriferëve që më parë ishte jashtë përdorimit. Aktualisht, në Morgun e Tiranës ndodhen 18 kufoma të sistemuara në dy frigoriferë funksionalë.
Për të gjetur një zgjidhje afatgjatë, Instituti i Mjekësisë Ligjore ka hapur në shtator të vitit 2024 një tender për ndërtimin e një dhome të re frigoriferike për ruajtjen e kufomave. Fondi i akorduar kap vlerën e 99.8 milionë lekëve (rreth 1 milion euro). Fitues të këtij tenderi janë shpallur firmat “2T” dhe “Alges Konstruksion”, të cilat kanë afat 12 muaj për përfundimin e punimeve.
Sipas dokumenteve zyrtare, pritet që kapaciteti i ri frigoriferik të arrijë deri në 100 kufoma.
Megjithatë, deri në përfundimin e ndërtimit, situata mbetet e vështirë dhe pa zgjidhje të menjëhershme, ndërsa familjarët e viktimave përballen me kushte të papranueshme.