​Kosova drejt SEPA,55 milionë euro përfitime vjetore për qytetarët dhe bizneset

Një ndër prioritetet kyçe për Bankën Qendrore të Kosovës mbetet përgatitja për anëtarësim në zonën e vetme të pagesave në Euro-SEPA, anëtarësim i cili pritet të sjellë mbi 55 milionë euro përfitime vjetore për qytetarët dhe bizneset e Kosovës. Kështu tha guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili në takimin e parë me këshillin kombëtar të pagesave.…

Lajme

17/06/2025 11:29

Një ndër prioritetet kyçe për Bankën Qendrore të Kosovës mbetet përgatitja për anëtarësim në zonën e vetme të pagesave në Euro-SEPA, anëtarësim i cili pritet të sjellë mbi 55 milionë euro përfitime vjetore për qytetarët dhe bizneset e Kosovës.

Kështu tha guvernatori i BQK-së, Ahmet Ismaili në takimin e parë me këshillin kombëtar të pagesave.

Ismaili tha se janë të përkushtuar edhe në ndërtimin e një sistemi modern të pagesave të menjëhershme, sistemin e pagesave të shpejta – TIPS Clone – që përbën një komponentë të rëndësishme të ekosistemit të pagesave.

“Një ndër prioritetet tona kyçe mbetet përgatitja për anëtarësim në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro – SEPA. Më 20 dhjetor të vitit të kaluar, kemi dorëzuar aplikimin preliminar për anëtarësim në SEPA dhe jemi të angazhuar intensivisht në grupe punuese rajonale dhe evropiane për të mundësuar qasjen e bankave dhe institucioneve financiare jo-bankare në skemat SEPA dhe për të ulur kostot e transfereve ndërkufitare. Sipas vlerësimeve aktuale, anëtarësimi në SEPA pritet të sjellë mbi 55 milionë euro përfitime vjetore për qytetarët dhe bizneset e Kosovës, përmes uljes së kostove të transfereve, rritjes së efikasitetit dhe përmirësimit të kushteve për eksportuesit dhe sektorin privat. Në përputhje me këtë vizion, jemi të përkushtuar edhe në ndërtimin e një sistemi modern të pagesave të menjëhershme, sistemin e pagesave të shpejta – TIPS Clone – që përbën një komponentë të rëndësishme të ekosistemit të pagesave, ku në këtë drejtim, kemi nënshkruar Letër Qëllimin me Bankën e Italisë”, tha Ismaili.

Ndërsa, ministri në detyrë i financave, Hekuran Murati u shpreh se synimi i tyre është të gjendet një zgjidhje për pagesa që janë mundësi e ekonomisë.

“Synimi ynë është që të gjejmë një zgjidhje të pagesave që janë mundësi e ekonomisë. Qysh në kohët ma hershme janë bërë këmbimi mall me mall deri tek paratë fizike dhe shërbejnë për të lehtësuar këmbimin e shërbimeve, tani jemi në fazën tjetër që është digjitalizimi i pagesave që të mundësojnë shërbimi i këmbimit të mallrave. Shpejtësia e parasë me digjitalizim mund të rrisim ekonominë, tek digjitalizimi avantazhet janë pothuajse të qarta. Fillimisht tek paratë fizike kemi kosto, kemi edhe problemin përdorimi i parave të falsifikuara që është përdorim tejet i madh. Është edhe çështja e formalizimit të shpëlarjes së parasë dhe është më e lehtë të parandalohen këto aktivitete të paligjshme. Të sigurohemi që të gjejmë zgjidhje por edhe përmban kosto të ulët për përdoruesit. Synimi ynë është që kosto e transaksionit të jetë sa më i ulët. Këtë e kemi dëshmuar edhe me iniciativat për digjitalizim nga vetë qeveria por edhe me projektin e fundit”, u shpreh Murati. /kp