Kamberi: Postimi i Trumpit për Kosovë-Serbi, sinjal për rikthimin e diplomacisë amerikane në rajon
Analisti i çështjeve politike, Belgzim Kamberi, ka komentuar postimin e fundit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i cili përmendi konfliktin Kosovë–Serbi. Sipas tij, ky mesazh duhet parë në kontekstin e doktrinës së Trumpit për zvogëlimin e përfshirjes së SHBA-së në konflikte të reja, megjithëse, siç tha ai, situata aktuale globale dëshmon të kundërtën. Në një…

Lajme
Analisti i çështjeve politike, Belgzim Kamberi, ka komentuar postimin e fundit të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, i cili përmendi konfliktin Kosovë–Serbi.
Sipas tij, ky mesazh duhet parë në kontekstin e doktrinës së Trumpit për zvogëlimin e përfshirjes së SHBA-së në konflikte të reja, megjithëse, siç tha ai, situata aktuale globale dëshmon të kundërtën.
Në një intervistë për emisionin “Debat Plus”, Kamberi theksoi se deklarata e Trumpit mund të sinjalizojë një rikthim të mundshëm të diplomacisë amerikane në Ballkan, e veçanërisht në procesin e dialogut Kosovë–Serbi, por mbeti skeptik për ndikimin real që kjo mund të ketë.
“Trump ka ardhur në administratë me premtimin për ndaljen e luftërave. Sa më pak luftëra, por kjo nuk po ndodh për momentin. E ka përmendur konfliktin Kosovë–Serbi në kuadër të kësaj doktrine të shmangies së konflikteve, por gjithashtu edhe në kontekstin e një rikthimi të mundshëm të diplomacisë amerikane në rajon. Jam skeptik për efektet reale të një angazhimi të tillë”, tha Kamberi.
Ai ngriti edhe dilema mbi qëllimet e një angazhimi eventual të SHBA-së në këtë proces.
“A do ta marrë administrata Trump drejtimin e dialogut Kosovë–Serbi dhe, nëse po, për çfarë qëllimi? A do të jetë për një marrëveshje përfundimtare politike apo vetëm për zbatimin e marrëveshjeve ekonomike? BE-ja ka qenë deri më tani lokomotiva e këtij procesi, SHBA-ja një lloj vagoni. A do të ndryshojë kjo?”, shtoi ai.
Kamberi gjithashtu tha se ka shenja që kryeministri Albin Kurti nuk është i interesuar të hyjë në një fazë të re politike të dialogut, duke ngritur pyetjen se kush do ta zëvendësonte nëse do të hapej një kapitull i ri në negociata.
“Shkëndijat e para tregojnë se Kurti nuk është i interesuar të hyjë në këtë proces. Nëse ai nuk do të jetë pjesë, kush do ta zëvendësojë? Metaforikisht mund të përmendim Abdullah Hotin, por pyetja është a i konvenon Serbisë në këtë moment një marrëveshje përfundimtare me Kosovën”, deklaroi Kamberi.
Ai shtoi se mbetet e paqartë nëse një marrëveshje eventuale do të kishte si objektiv vetëm zbatimin e marrëveshjeve ekonomike, apo nëse do të riktheheshin idetë e vjetra për korrigjim kufijsh dhe shkëmbime territoriale.
“Këto janë tema që kërkojnë një qeveri të re, jo me aktorët e njëjtë”, përfundoi Kamberi.