Mushkolaj: Kosova e Serbia nuk ishin në prag lufte

Analisti Imer Mushkolaj ka vënë në pikëpyetje deklarimin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar se gjatë administratës së tij, Kosova dhe Serbia ishin në prag të një konflikti të madh. “Nuk kanë qenë Kosova dhe Serbia në prag të shpërthimit. Nuk ka qenë… është diçka tjetër. Mbase presidenti amerikan ka menduar ashtu,…

Lajme

16/06/2025 22:16

Analisti Imer Mushkolaj ka vënë në pikëpyetje deklarimin e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar se gjatë administratës së tij, Kosova dhe Serbia ishin në prag të një konflikti të madh.

“Nuk kanë qenë Kosova dhe Serbia në prag të shpërthimit. Nuk ka qenë… është diçka tjetër. Mbase presidenti amerikan ka menduar ashtu, por nuk kemi qenë në atë situatë,” tha Mushkolaj në emisionin Debat Plus.

Ai shtoi se marrëveshja e Uashingtonit e nënshkruar në shtator të vitit 2020, e cilësuar si historike nga administrata Trump, nuk është zbatuar në praktikë.

“Çka ka ndodhë me marrëveshjen e Uashingtonit? Është nënshkru në shtator të 2020-ës, sa është zbatu prej asaj marrëveshje? Ajo ka qenë një marrëveshje, qysh e ka pranu edhe administrata amerikane edhe presidenti Trump, ekonomike,” theksoi Mushkolaj.

Sipas tij, qasja e Trumpit atëbotë ishte që përmes zhvillimit ekonomik të zgjidhte problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por ai kujton se edhe një tjetër iniciativë e ngjashme – ajo për krijimin e linjës ajrore direkte Prishtinë–Beograd – ka përfunduar në harresë.

“Mos të harrojmë që në janar 2020 Kosova dhe Serbia patën nënshkru një marrëveshje me bo një linjë ajrore Prishtinë–Beograd, me Richard Grenellin atëherë ambasador amerikan në Berlin. Çka ka ndodhë me atë marrëveshje? A e përmend më kush atë marrëveshje? Kërkush nuk e përmend më,” deklaroi Mushkolaj.