​Xhaka i thotë ‘Po’ Milanit, Tare nis kontaktet me Bayer Leverkusen

Max Allegri dëshiron të ndërtojë një Milan të ri mbi themelin e përvojës dhe personalitetit – dy cilësi thelbësore që i sheh tek Granit Xhaka. Mesfushori i kombëtares zvicerane është kthyer në objektivin kryesor të klubit kuqezi në këto ditë të para të merkatos së verës, teksa projekti i rikonstruktimit nën drejtimin e trajnerit të…

Sport

16/06/2025 11:39

Max Allegri dëshiron të ndërtojë një Milan të ri mbi themelin e përvojës dhe personalitetit – dy cilësi thelbësore që i sheh tek Granit Xhaka. Mesfushori i kombëtares zvicerane është kthyer në objektivin kryesor të klubit kuqezi në këto ditë të para të merkatos së verës, teksa projekti i rikonstruktimit nën drejtimin e trajnerit të ri po merr formë, transmeton KosovaPress.

Sipas burimeve pranë klubit, Xhaka ka dhënë tashmë “OK”-in për një transferim në Milano, duke e konsideruar këtë si një sfidë të re dhe tërheqëse në karrierën e tij. Pas një eksperience të suksesshme në Bundesligë me Bayer Leverkusen, ku ishte një nga pikat kyçe të skuadrës së Xabi Alonsos, lojtari 32-vjeçar duket i gatshëm të përmbyllë ciklin në Gjermani dhe të hapë një kapitull të ri në Serie A.

Tani topi është në fushën e drejtuesve kuqezi. Drejtori i ri sportiv i Milanit, Igli Tare, pritet të intensifikojë kontaktet me Bayer Leverkusen gjatë kësaj jave për të gjetur një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët.

Klubi gjerman e vlerëson kartonin e Xhakës rreth 12 milionë euro – një shifër që konsiderohet e përballueshme nga Milani, megjithatë “Djajtë” do të kërkojnë ta ulin këtë çmim duke shfrytëzuar vullnetin e vetë lojtarit për t’u larguar.

Për Allegri-n, Xhaka do të përbënte një përforcim me rëndësi të madhe për mesfushën, duke sjellë jo vetëm eksperiencë ndërkombëtare dhe qetësi taktike, por edhe një lider që mund të udhëheqë një repart të përbërë nga elementë të rinj. Me mbi 120 paraqitje me Zvicrën dhe eksperiencë në Premier League me Arsenalin, mesfushori kosovar me pasaportë zvicerane do të përfaqësonte një “transferim me garanci”.

Për momentin, nuk ka ende një ofertë zyrtare në tavolinë, por gjithçka mund të përshpejtohet në ditët në vijim. Tare synon të shfrytëzojë marrëdhëniet e tij të mira me klubet gjermane dhe të bëjë hapin vendimtar për të sjellë Xhakën në “San Siro”.

Rikthimi i Allegri-t dhe ardhja e mundshme e një lideri si Granit Xhaka mund të jenë sinjale të forta se Milani po synon rikthimin në majat e futbollit italian dhe evropian.