Shënimi i 12 Qershorit në Dusseldorf: Përkujtimi historik dhe vizioni ekonomik me praninë e zt.Shkelzen Jusaj
Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf, u shënua me dinjitet Dita e Çlirimit të Kosovës – 12 Qershori, në praninë e shumë figurave të njohura të jetës publike, përfaqësuesve institucionalë dhe komunitetit shqiptar nga diaspora në Gjermani. Në mesin e personaliteteve që morën pjesë…

Lajme
Në një ceremoni të veçantë të organizuar nga Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Düsseldorf, u shënua me dinjitet Dita e Çlirimit të Kosovës – 12 Qershori, në praninë e shumë figurave të njohura të jetës publike, përfaqësuesve institucionalë dhe komunitetit shqiptar nga diaspora në Gjermani.
Në mesin e personaliteteve që morën pjesë në këtë ngjarje, u veçua z. Shkelzen Jusaj, President i kompanisë Petrol Company dhe njëherësh Kryetar i Unionit të Bizneseve Shqiptaro-Gjermane – Dega Kosovë.
Prania dhe angazhimi i z. Jusaj i dha ngjarjes një dimension të veçantë ekonomik e zhvillimor, duke e lidhur përkujtimin e së kaluarës heroike me vizionin për të ardhmen e qëndrueshme të Kosovës.
Z. Shkelzen Jusaj, është figura kyçe në forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe diasporës.
Gjatë Forumit Ekonomik Kosovë–NRW, z. Shkelzen Jusaj theksoi rëndësinë që ka diaspora jo vetëm në aspektin emocional dhe historik, por sidomos në rolin konkret që ajo ka në zhvillimin ekonomik, investimet strategjike dhe ngritjen e kapaciteteve ndërmarrëse në Kosovë.
“Është koha që diaspora të mos shihet vetëm si burim remitencash, por si partnere e fuqishme zhvillimi ekonomik. Kemi ide, kemi kapital dhe kemi përvojë – është koha për veprim të përbashkët,” u shpreh z. Jusaj.
Si udhëheqës i njërës nga kompanitë më të mëdha të Hidrokarbureve në Kosovë, dhe si drejtues i Unionit të Bizneseve Shqiptare në Gjermani – Dega Kosovë, z. Jusaj ka qenë vazhdimisht promotor i bashkëpunimeve dypalëshe, i rrjetëzimit të bizneseve dhe krijimit të platformave konkrete për investime të qëndrueshme në atdhe.
Ngjarje me mesazh të fuqishëm:
“Kujtim për të kaluarën, vizion për të ardhmen”.
Në ceremoninë përkujtimore të 12 Qershorit, u nderuan dëshmorët e kombit dhe përpjekjet e gjeneratave për liri e pavarësi.
Pas kësaj ceremonie solemne, pjesëmarrësit iu drejtuan punimeve të Forumit Ekonomik Kosovë–Nordrhein-Westfalen (NRW), organizuar nga
Unioni i Bizneseve Shqiptaro-Gjermane, ku z.Jusaj kishte rol qendror dhe drejtues strategjik i platformës ekonomike.
Gjatë forumit u diskutuan mundësitë konkrete për bashkëpunim ndërmjet bizneseve kosovare dhe diasporës, u identifikuan sfida dhe u propozuan hapa konkretë drejt krijimit të një rrjeti të qëndrueshëm investues, që shtrihet përtej kufijve të Kosovës.
Në përfundim të ngjarjes, organizatorët dhe pjesëmarrësit falënderuan z. Shkelzen Jusaj për angazhimin e tij të palëkundur në forcimin e marrëdhënieve Kosovë–diasporë, si dhe për vizionin që po sjell në ndërthurjen e kapitalit njerëzor dhe ekonomik të mërgatës me zhvillimin kombëtar.
Gjithashtu, u shprehën falënderime për Konsullatën e Përgjithshme të Republikës së Kosovës në Düsseldorf për organizimin e denjë, si dhe për Unionin e Bizneseve Shqiptare në Gjermani, që po dëshmon se suksesi në diasporë është aset për vendlindjen.