Mujaj: Siguria në vend nuk mund t’i mveshet qeverisë, e kanë bërë institucionet e sigurisë

Avokati, Muhamet Mujaj, ka deklaruar se përgjegjësia për sigurinë në Kosovë nuk mund t’i atribuohet tërësisht kryeministrit Albin Kurti, pasi në këtë proces janë të përfshira edhe institucione të tjera kyçe. “Kryeministri Kurti i ka obligimet e veta si kryeministër dhe si ekzekutiv. Nuk mund të atribuohet i gjithë aktiviteti në veri dhe siguria në Kosovë…

Lajme

09/06/2025 23:16

Avokati, Muhamet Mujaj, ka deklaruar se përgjegjësia për sigurinë në Kosovë nuk mund t’i atribuohet tërësisht kryeministrit Albin Kurti, pasi në këtë proces janë të përfshira edhe institucione të tjera kyçe.

“Kryeministri Kurti i ka obligimet e veta si kryeministër dhe si ekzekutiv. Nuk mund të atribuohet i gjithë aktiviteti në veri dhe siguria në Kosovë vetëm atij, pasi kemi institucione dhe agjenci të inteligjencës e të drejtësisë që merren me sigurinë dhe rendin në vend. Këto institucione kanë dhënë kontribut të vazhdueshëm për shtetndërtim dhe për garantimin e sigurisë,” tha Mujaj.

Ai u ndal edhe te zhvillimet e fundit rreth rastit Banjskë, duke vlerësuar punën e Prokurorisë, por duke ngritur shqetësime për mbrojtjen e konfidencialitetit te zyrtarëve policorë.

“Rasti i Banjskës, që ka vazhduar sot, po ndiqet nga Prokuroria, e cila përveç se është duke i kryer obligimet e veta ligjore, po e shtrin aktivitetin e saj dhe po jep kontribut të rëndësishëm. Megjithatë, institucionet nuk janë duke i mbrojtur mjaftueshëm punonjësit tanë, veçanërisht ata që kanë role kyçe dhe janë pjesë e njësive elitare të Policisë së Kosovës. Nuk do të duhej të dilte një zyrtar policor para gjykatës pa mbrojtjen e identitetit të tij,” theksoi avokati Mujaj./dukagjini