U përplas me mbrojtjen e afërt të Sveçlës në veri, gjobitet aktivisti serb
Një aktivist serb, Stefan Veljkoviq, është gjobitur nga Policia e Kosovës në veri të vendit pasi nuk iu bind urdhrave policorë gjatë një aktiviteti ku po merrte pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili njoftoi…

Lajme
Një aktivist serb, Stefan Veljkoviq, është gjobitur nga Policia e Kosovës në veri të vendit pasi nuk iu bind urdhrave policorë gjatë një aktiviteti ku po merrte pjesë ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Lajmin e ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili njoftoi gjithashtu se Veljkoviq ka pranuar edhe trajtim mjekësor.
Aktivisti ishte përfshirë në një përplasje me sigurimin e afërt të ministrit Sveçla, ndërsa mbante një bilbil në dorë.
“I është shqiptuar një gjobë për mosrespektim të urdhrave të policisë”, ka deklaruar shkurt Elshani.
Pas incidentit, Veljkoviq tha se kishte pësuar lëndime në buzë dhe për këtë arsye ishte dërguar për kontroll mjekësor.
Ai ka sqaruar se veprimi i tij kishte qenë një formë proteste ndaj, siç tha ai, politikave të autoriteteve të Kosovës ndaj serbëve në veri.
“Qytetarët na informuan se Kurti, Sveçla dhe Gazmend Hoxha (drejtor i Policisë) erdhën në veri të Mitrovicës për t’u mburrur, ndërkohë që po zbatohen politika antiserbe. Apartamente, shtëpi e toka po konfiskohen, njerëzit po shtypen, fëmijët po mbahen në paraburgim. Erdhi si protestë civile me një bilbil”, deklaroi ai.
Veljkoviq shtoi se pjesëtarë të Policisë së Kosovës në rroba civile e kishin shtyrë për ta penguar t’i afrohej ministrit në detyrë.
“Më goditën në kokë, më grisën bluzën, më qëlluan në dhëmbë dhe në nofull. Gjithçka është regjistruar në telefonin tim”, tha ai për mediumin Kossev.