Tifozat Kuq e Zi me një mesazh të fortë pas ndeshjes ndaj Serbisë që ata e quajnë miqësore
Pas ndeshjes Shqipëri – Serbi, të zhvilluar së fundmi, Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar me një deklaratë të ashpër, duke dënuar ndalimin e simboleve kombëtare në stadium dhe duke akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit për qëndrime të nënshtruara. Ata kanë akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit për trajtim të padrejtë dhe përulës ndaj tifozëve shqiptarë,…

Sport
Pas ndeshjes Shqipëri – Serbi, të zhvilluar së fundmi, Tifozat Kuq e Zi kanë reaguar me një deklaratë të ashpër, duke dënuar ndalimin e simboleve kombëtare në stadium dhe duke akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit për qëndrime të nënshtruara.
Ata kanë akuzuar Federatën Shqiptare të Futbollit për trajtim të padrejtë dhe përulës ndaj tifozëve shqiptarë, duke ndaluar simbolet kombëtare dhe duke favorizuar interesat serbe.
Deklarata vjen si një reagim i ashpër ndaj asaj që ata e quajnë shkelje e identitetit kombëtar, ndërsa paralajmërojnë se simbolet shqiptare nuk do të ndalen kurrë në stadiume, pavarësisht përpjekjeve të kujtdo.
Më poshtë deklarata e plotë e tyre:
Deklarata e Tifozëve Kuq e Zi
Shkoi edhe kjo ndeshje. “Miqësorja më e shikuar në histori”, siç u mburrën miqtë e shkijeve në FSHF. U kënaqën të gjithë: serbët, agjencitë turistike që grabitën biletat, VIP-at që “fituan” në shortin tuaj magjik, e mbi të gjitha arka juaj, që u mbush si kurrë më parë.
“800 mijë kërkesa për bileta”, thanë. Në fund, stadiumi kishte mbi 2 mijë karrige bosh. Tifozët shqiptarë iu nënshtruan kontrolleve që s’i gjen as në aeroportet më të rrepta të botës, e jo më në sport. Në asnjë stadium, në asnjë sport, në asnjë vend të botës nuk ndalohen simbolet e kombit tënd. Kjo ndodh vetëm në stadiumet tona, aty ku udhëheqin miqtë e shkijeve. Por me rëndësi është të kënaqen shkijet; për historinë e krenarinë tonë kush lodhet!
Dje u konfiskuan bluza e shalla me mbishkrimet nga më të ndryshmet: “O sa mirë me qenë Shqiptar!”, “Prishtina”, “Kosova”, “Shkëndija” etj. Simboli i UÇK-së? As që diskutohet. Për pak flamuj të futur brenda pamë skena qesharake e përçmuese: mbi 20 policë u vërsulën të zhveshin një djalë që mbante në gjoks shqiponjën dykrenare dhe stemën e UÇK-së. Ky “krim” nuk ndalohet me ligj në asnjë qytet të Shqipërisë – pse stadiumi qenka më i veçantë? Në stadiumin tonë, ku duhet t’i këndohet vendit dhe identitetit tonë, simbolet tona kombëtare u trajtuan si një rrezik.