Qeveria e Unitetit, ide pa jehonë – Partitë nuk i thonë “po” publikisht Abdixhikut

Sot janë bërë 4 muaj që kur qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur atë që duan t’i udhëheq në katër vitet e ardhshme. Por, duket se ata që i zgjodhën qytetarët nuk po arrijnë të formojnë institucionet, fillimisht Kuvendin e Kosovës e më pas edhe Qeverinë e Kosovës, shkruan…

Lajme

09/06/2025 16:53

Sot janë bërë 4 muaj që kur qytetarët e Kosovës i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur atë që duan t’i udhëheq në katër vitet e ardhshme.

Por, duket se ata që i zgjodhën qytetarët nuk po arrijnë të formojnë institucionet, fillimisht Kuvendin e Kosovës e më pas edhe Qeverinë e Kosovës, shkruan lajmi.net.

Si mundësi të fundit për situatën në të cilën gjendet Kosova, kreu i LDK-së e ka propozuar një Qeveri të Unitetit, ku do të merrnin pjesë të gjitha partitë e do t’i merrnin postet bazuar ne numrin e ulëseve që kanë në Kuvend.

Propozimi i Abdixhikut erdhi më 6 maj, pas një letre që ai e mori nga partia fituese e zgjedhjeve të 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje, për koalicion qeverisës dhe pas dështimeve të njëpasnjëshme për formimin e institucioneve të reja rreth tre muaj pas zgjedhjeve.

“Propozojmë nisjen e një procesi të ri politik. Në përputhshmëri me këtë, LDK-ja propozon nisjen e këtij procesi me të gjitha partitë për nisjen e një qeverie nacionale të tranzicionit”, tha Abdixhiku në një konferencë për media në Prishtinë.

Ai mbrëmë ka përsëritur thirrjen e tij drejt VV-së, PDK-së, AAK-së dhe Nisma-s që t’i bashkohen propozimit të tij.

“Vazhdoj të besoj se mund të ulemi, të flasim dhe të pajtohemi për një zgjidhje të përbashkët. Kjo krizë mund të na shërbejë si mundësi. Nëse e trajtojmë me guxim dhe me përgjegjësi. Natyrisht se ka zëra mjaft që na ushqejnë që të rrimë larg, por sot para vetës kjo krizë na thërret veç për përgjegjësi. Asgjë më pak”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka thënë se këtë javë do të prezantoj një Agjendë 15 pikëshe për Qeverinë e Unitetit dhe sipas tij uniteti sot nuk është luks por është domosdoshmëri.

“Po, Kosovës i duhet një opozitë. Po, Kosovës i duhet një balanc demokratik. Por para dyjave, Kosovës i duhet një pozitë. Një qeveri legjitime, një Kuvend funksional, një shtet që punon – tek më pas një opozitë që kritikon. Prandaj, edhe një herë, ftoj zërat me peshë, ftoj mendjet e urta, ftoj të gjithë ata që e ndjejnë peshën e kësaj kohe – të bashkohen me këtë propozim. Të mos heshtin. Të flasin. Të inkurajojnë secilin për këtë qëllim. Të refuzosh, është e lehtë. Të tallesh me një popull të tërë plot 28 herë është e rëndë. Le të provojmë unitetin. Mund dhe mos të jetë”, ka shtuar ndër të tjerash i pari i LDK-së.

Në lidhje me këtë ide për Qeveri, sot detaje kanë dhënë edhe dy deputetët e LDK-së, Armend Zemaj e Besian Mustafa.

Zemaj ka thënë se këtë Qeveri të Unitetit do të mund ta udhëhiqte edhe dikush krejtësisht jo partiak.

“Partia e parë këmbëngul në të drejtën e saj të propozimit të një kandidati i cili nuk i merr votat e mjaftueshme dhe thirret që i ka votat për qeverinë, nganjëherë tallen edhe me temat ku kërkojnë sfidim të deputetëve ose të subjekteve politike. Këtu nuk jemi për tu sfiduar në pjesën personale për pozita personale, ata janë të barrikaduar në interesin e vet puro-politik personal por edhe të interesave financiare që mund ta dëmtojnë qytetarin dhe institucionet e Kosovës”, ka thënë Zemaj.

Ngjashëm me të ka thënë edhe zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa i cili tha se nuk insistojnë që kryeministër i kësaj Qeverie të ishte i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.

“Gjatë kësaj jave do të publikojmë një 15-pikësh të agjendës së kësaj qeverie të unitetit. Me fjalë të tjera këto 15 pika do të ishin 15 temat kyçe që do të merrej kjo qeveri e unitetit. Refuzimi i idesë së qeverisë së unitetit pa dhënë një zgjidhje tjetër fatkeqësisht është insistim për vazhdimin e kësaj bllokade 48-orëshe dhe kjo bllokadë fatkeqësisht dhe natyrisht do ta conte vendin në zgjedhje të parakohshme të reja, apo thënë më ndryshe ripërsëritje të zgjedhjeve të shkurtit. Dhe zgjedhjet janë gjëja e fundit që i duhet Kosovës. Kosovës i duhet një qeveri e unitetit e cila do të kishte një afat të caktuar kohor, një agjendë të caktuar të cilën po themi janë 15 pika që i propozojmë. Natyrisht që do të bëhet një diskutim për këto pika që do t’i propozojmë me të gjithë spektrin politik të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se në këtë Qeveri të Unitetit do të merrnin pjesë të gjithë partitë proporcionalisht sipas ulëseve në Kuvend.

“Është fatkeqësi që LVV e ka refuzuar këtë Qeveri, ne do të vazhdojmë t’i bindim partitë politike dhe qytetarët që kjo është zgjidhja e vetme në këtë rrethanë.  LDK në Qeverinë e Unitetit nuk insiston që ta udhëheq, por natyra e saj insiston që të gjejmë një figurë të unitetit që na bashkon gjithë spektrin politik”, ka thënë Mustafa.

Çka mendojnë partitë e tjera për një Qeveri të Unitetit?

Një ditë pas këtij propozimi të Abdixhikut, kundër kësaj ideje i doli Lëvizja Vetëvendosje. Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se “propozimi për një Qeveri tranzicionale, është të kthehemi në kohën e UNMIK-ut, në vitin 2000”.

Njëjtë duket se vazhdojnë të mendojnë edhe sot Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë që ka dal në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla në lidhje me Qeverinë e Unitetit të propozuar nga LDK, ka thënë se “kemi nevojë për unitetit për shtet e jo për pushtet”.

“Uniteti për shtet demonstrohet duke u konstituuar Kuvendi dhe jo duke u bllokuar Kuvendin i cili e pamundëson edhe të gjitha procedurat e tjera vijuese. Jam e bindur që vota e fshehtë është instrumenti më demokratik në shoqëri demokratike dhe çdo lloj arsyetimi që vota e fshehtë qenka shkelje e Kushtetutës e ka shpërfaqur vullnetin për të mos ecur përpara.  Kemi pasur ca ditë kur opozita si duket mendonte që i kanë votat për të bërë Qeveri vetë dhe e zhbllokuan procesin e parë, atë të mosvotimit të mandateve të tyre si deputetë mirëpo pas asaj faze shifrat po flasin qartë. Tani kanë mbetur mes dy rrugësh, as nuk janë ata që preferojnë zgjedhjet e reja as ata që e sfidojnë kandidatin tonë për kryeministër, Albin Kurtin në bërjen e Qeverisë”, ka thënë Gërvalla.

Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë dhe kandidatja e propozuar nga VV për kryekuvendare, Albulena Haxhiu sot u deklarua kundër saj.

Ajo sa i përket propozimit nga partia e tretë që doli në zgjedhje, nga kryetari i LDK-së Abdixhiku, tha se kërkojnë unitet për konstituimin e kuvendit.

“Qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre në zgjedhjet e 9 shkurtit, Kurti është lideri më i votuar ndonjëherë në Kosovë dhe VV është subjekti i parë me më së shumti vota prandaj propozimet e tilla janë tendencë për të minimizuar vullnetin e popullit dhe s’e kanë mbështetjen e Vetëvendosjes. Qeveri të tranzicionit e kemi për momentin pasi është qeveri në dorëheqje pasi kryen detyrën deri në qeverinë e ardhshme”, tha Haxhiu.

Ajo kërkoi që të braktisën këto ide që e minimizojnë vullnetin e popullit.

Nga Partia Demokratike e Kosovës, kryetari i saj Memli Krasniqi një ditë pas propozimit për herë të parë të Abdixhikut për këtë lloj Qeverie ka thënë se janë gati për tu takuar dhe për të shpalosur idetë e secilit.

Ndërkaq sot, ai ka thënë se për këtë temë nuk vlen të diskutohet pasi që VV i ka thënë jo që në fillim.

“Unë besoj që asgjë nuk ka ndryshuar nga hera e fundit që jam deklaruar, Qeveritë e tilla nënkuptojnë që duhet me qenë të gjithë bashkë dhe LVV me numrin më të madh të deputetëve e ka refuzu qysh në start dhe besoj që nuk kemi çka diskutojmë tutje për këtë çështje. Unë e shoh të dhimbshme që ne si parti të ish opozitës nuk po e bëjmë shumicën parlamentare sepse këtë mundësi e kemi, sikur të ishte pranuar propozimi i PDK-së qysh ditën e nesërme pas zgjedhjeve unë jam i sigurt që ne sot do të kishim Qeveri dhe institucione sepse shumica parlamentare ekziston në anën e partive të ish opozitës”, ka thënë Krasniqi.

Një ditë pas idesë së Abdixhikut për Qeveri Tranzicionale, lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, e ka mirëpritur këtë propozim.

Ai është treguar i gatshëm të diskutojë për këtë ide. Megjithatë, ai ka thënë se e mbështet një qeveria të opozitës.

“Unë mirëpres mundësinë e konsultave, cila formulë, cili opsion. Tani qëndrimet ndryshojmë. Ju e dini, unë angazhohem për qeveri të opozitës dhe vazhdojë me mbet në këtë qëndrim. Pra për qeveria të opozitës. Ndërsa jam i hapur për konsulta në këtë rast me LDK-në, me PDK-në dhe me partitë parlamentare të opozitës ”, ka thënë Haradinaj.

Kundër kësaj ka dal deputeti i AAK-së, Bekë Berisha i cili disa ditë më parë ka thënë se nuk pranon që të jetë në një qeveri ku është VV-ja.

Ideja e Abdixhikut për Qeveri Tranzicionale ka ardhur pas ftesës që kryeministri në detyrë i Kosovës, Lumir Abdixhiku i ka bërë atij për koalicion.

Abdixhiku e hodhi poshtë ofertën e liderit të Vetëvendosjes, Albin Kurti, për formimin e koalicionit qeverisës LVV-LDK, duke thënë se qëndrimet e partisë së tij nuk kanë ndryshuar.

“E kam vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me Kurtin”, tha ai.

Ai i ktheu përgjigje Kurtit edhe përmes një letre pas marrjes së kërkesës për koalicion qeverisës, në të cilën, ndër të tjera, thuhet se Kosova ndodhet në “një krizë të thellë politike dhe institucionale për shkak të dështimit tuaj të krijoni partneritete politike që do ta garantonin shumicën”.

Sipas Abdixhikut, një Qeveri e tillë tranzicionale do të kishte një kryeministër “unifikues” dhe se do të zgjaste deri në kohën kur vendi duhet ta zgjedhë presidentin e ri, pra në prill të vitit 2026, kur presidentes së tanishme Vjosa Osmani i mbaron mandati.

Të gjitha këto diskutime për një zgjidhje kanë ardhur si pasojë e bllokimit të Kuvendit dhe ngërçit politik që tash e sa seanca nuk po zgjidhet.

Që nga 15 prilli kur është mbajtur seanca e parë konstituive e Kuvendit të Kosovës, ky institucion mbetet ende i pakonstituuar. Fillimisht, Kuvendi nuk u konstituua pasi opozita nuk e votonte kandidaten e VV-së për kryekuvendare, Albulena Haxhiun të cilën e quajtën “figurë përçarëse”, ndërsa VV nuk e ndërronte kandidatën në vazhdimësi, e për të Memli Krasniqi nga PDK tha se “nuk i ka votat e as nuk do t’i ketë”.

Që nga 1 maji, në votim është vënë komisioni për votim të fshehtë, por opozita nuk ka marrë pjesë asnjëherë në votim pasi që sipas tyre ndryshimi i procesit të votimit në mes të procesit është antikushtetues.

Deputetët e AAK-së e kanë dërguar për komentim në Gjykatë Kushtetuese këtë ndryshim të procesit të votimit, por Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë një vendim.

Të gjitha partitë kanë deklaruar se do ta respektojnë dhe zbatojnë çfarëdo vendimi që do të marrë Gjykata Kushtetuese.

Moskonstituimi i Kuvendit po i paraqet probleme të vazhdueshme Kosovës si në arenën ndërkombetare ashtu edhe në fusha të tjera. Ndërkombetarët në vazhdimësi po kërkojnë konstituimin sa më të shpejtë të Kuvendit për të vazhduar me procese të tjera. /Lajmi.net/