Mustafa thotë se LDK nuk insiston që Qeverinë e Unitetit ta udhëheq këtë Qeveri: Refuzimi i saj është insistim në bllokadën 48 orëshe

Deputeti i LDK-së, njëherit edhe zëdhënësi i kësaj partie Besian Mustafa është deklaruar para mediave pas dështimit të 29-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Ai ka thënë se Qeveria e Unitetit është zgjidhja e vetme për të zhbllokuar ngërçin politik që është krijuar. “Gjatë kësaj jave do të publikojmë një 15-pikësh të agjendës së…

Lajme

09/06/2025 11:54

Deputeti i LDK-së, njëherit edhe zëdhënësi i kësaj partie Besian Mustafa është deklaruar para mediave pas dështimit të 29-të të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e Unitetit është zgjidhja e vetme për të zhbllokuar ngërçin politik që është krijuar.

“Gjatë kësaj jave do të publikojmë një 15-pikësh të agjendës së kësaj qeverie të unitetit. Me fjalë të tjera këto 15 pika do të ishin 15 temat kyçe që do të merrej kjo qeveri e unitetit. Refuzimi i idesë së qeverisë së unitetit pa dhënë një zgjidhje tjetër fatkeqësisht është insistim për vazhdimin e kësaj bllokade 48-orëshe dhe kjo bllokadë fatkeqësisht dhe natyrisht do ta conte vendin në zgjedhje të parakohshme të reja, apo thënë më ndryshe ripërsëritje të zgjedhjeve të shkurtit. Dhe zgjedhjet janë gjëja e fundit që i duhet Kosovës. Kosovës i duhet një qeveri e unitetit e cila do të kishte një afat të caktuar kohor, një agjendë të caktuar të cilën po themi janë 15 pika që i propozojmë. Natyrisht që do të bëhet një diskutim për këto pika që do t’i propozojmë me të gjithë spektrin politik të Kosovës”, tha ai.

Ai tha se në këtë Qeveri të Unitetit do të merrnin pjesë të gjithë partitë proporcionalisht sipas ulëseve në Kuvend.

“Është fatkeqësi që LVV e ka refuzuar këtë Qeveri, ne do të vazhdojmë t’i bindim partitë politike dhe qytetarët që kjo është zgjidhja e vetme në këtë rrethanë.  LDK në Qeverinë e Unitetit nuk insiston që ta udhëheq, por natyra e saj insiston që të gjejmë një figurë të unitetit që na bashkon gjithë spektrin politik”, ka thënë Mustafa. /Lajmi.net/