Vdekja e të riut në Kaçanik – Policia jep detaje shtesë
Një 26 vjeçar ka humbur jetën dje, pasi që dyshohet se ka rënë nga lartësia e urës së autostradës “Arben Xhaferi” në Kaçanik. Ideal Halabaku, i cili vinte nga fshati Pozheran të Vitisë fillimisht dyshohet se ka pësuar vetaksident e më pas ka rënë nga ura ku edhe ka humbur jetën. Në lidhje me rastin,…

Lajme
Një 26 vjeçar ka humbur jetën dje, pasi që dyshohet se ka rënë nga lartësia e urës së autostradës “Arben Xhaferi” në Kaçanik.
Ideal Halabaku, i cili vinte nga fshati Pozheran të Vitisë fillimisht dyshohet se ka pësuar vetaksident e më pas ka rënë nga ura ku edhe ka humbur jetën.
Në lidhje me rastin, sot përmes raportit 24 orësh ka dhënë detaje Policia e Kosovës.
“Kaçanik / 08.06.2025 – NN. Raportohet se është gjetur trupi i pa jetë i viktimës mashkull kosovar. Të gjitha njësitet relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për autopsi”, ka thënë Policia e Kosovës.
Mbrëmë, Policia e Kosovës përmes një komunikate për media ka thënë se vdekja e tij nuk ka ardhur si pasojë e aksidentit.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit e stacionit policor Kaçanik, ndërsa rreth orës 16:45, janë angazhuar edhe Hetimet Rajonale dhe Forenzika Rajonale. Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori për krime të rënda nga Prokuroria Themelore e Ferizajt, i cili ka autorizuar inicimin e rastit si: “Hetim mbi vdekjen”. Për informata shtesë, do të njoftoheni pasi të kryhen ekzaminimet e nevojshme nga hetuesit rajonal”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Siç ka njoftuar mbrëmë Policia, dyshohet se rasti ka ndodhur dje rreth ores 5:00 të mëngjesit por janë njoftuar rreth orës 13:15.
Në lidhje me rastin në fjalë, detaje dje kanë dhënë edhe nga Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.
Ata kanë njoftuar se është tërhequr trupi i pajetë nga gremina.
“Fatkeqësisht, viktima ka rënë nga një lartësi e urës dhe ka humbur jetën në vend. Ky është një moment dhimbjeje e pikëllimi për të gjithë ne. Në këto çaste të rënda, jemi pranë familjes Halabaku me zemër e me lutje. Zoti e mëshiroftë të ndjerin dhe i dhashtë forcë familjes për ta përballuar këtë humbje të madhe”, ka shkruar anëtari i Shoqatës për Kërkim dhe Shpëtim, Florim Neziraj.
Për vdekjen e të riut, Ideal Halabaku ngushëllime ka shprehur edhe kryetari i Komunës së Vitisë, Sokol Haliti.