Koci ishte në Serbi për ish-policin që u ndalua: Besoj se e vërteta do të dalë në pah, e do të përfundojë mirë

Avokati Arianit Koci ka folur për arrestimin e ish-policit të Kosovës Arbnor Salihu, nga autoritetet serbe. Ai tha se sapo është kthyer nga Serbia, ku ishte në mision për të mbledhur informata dhe për të verifikuar çdo detaj nga afër nga terreni. I njëjti pohoi se nesër fillon beteja juridike – dhe beson se e…

Lajme

09/06/2025 08:41

Avokati Arianit Koci ka folur për arrestimin e ish-policit të Kosovës Arbnor Salihu, nga autoritetet serbe.

Ai tha se sapo është kthyer nga Serbia, ku ishte në mision për të mbledhur informata dhe për të verifikuar çdo detaj nga afër nga terreni.

I njëjti pohoi se nesër fillon beteja juridike – dhe beson se e vërteta do të dalë në pah, e do të përfundojë mirë.

“E kam marrë këtë përgjegjësi me vetëdije të plotë për seriozitetin e rastit dhe për nevojën që qytetari ynë të ketë mbrojtje efektive në çdo hap të procedurës”, u shpreh Koci për Klankosova.tv.

“Prokurori do ta marrë nesër në pyetje Arbnorin, e më pas do të vendosë nëse do të paraqesë kërkesë për caktimin e paraburgimit”.

Koci theksoi se bazat e dyshimit janë të paqëndrueshme: “Pretendimet në kërkesën për ndalim nuk qëndrojnë dhe pres që të hidhen poshtë”.

Avokati Koci deklaroi se në këtë fazë, mbështetja institucionale është e domosdoshme – veçanërisht në aspektin logjistik nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Zyra Ndërlidhëse.

“Sidoqoftë, me ta kam pasur bashkëpunim të mirë dhe pres të vazhdojë”.

“Ky angazhim është çështje përgjegjësie profesionale – dhe bindjeje se asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk duhet të mbetet i pambrojtur, sidomos në raste të ndjeshme me implikime më të gjera”, tha Koci.