Tragjedia në Kaçanik – Ra nga ura e autostradës “Arben Xhaferi” dhe vdiq, detaje nga rasti
Një rast shumë i rëndë ka ndodhur sot në autostradën “Arben Xhaferi” në drejtimin Kaçanik-Ferizaj. I riu, Ideal Halabaku ka pësuar aksident dhe ka rënë nga lartësia e urës së kësaj autostrade ku për pasojë edhe ka humbur jetën. Në lidhje me rastin, detaje ka dhënë anëtari i Shoqatës për Kërkim dhe Shpëtim, Florim Neziri.…

Lajme
Një rast shumë i rëndë ka ndodhur sot në autostradën “Arben Xhaferi” në drejtimin Kaçanik-Ferizaj.
I riu, Ideal Halabaku ka pësuar aksident dhe ka rënë nga lartësia e urës së kësaj autostrade ku për pasojë edhe ka humbur jetën.
Në lidhje me rastin, detaje ka dhënë anëtari i Shoqatës për Kërkim dhe Shpëtim, Florim Neziri.
Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se sapo kanë marrë informacionin, ekipi i kësaj shoqatë është mobilizuar menjëherë dhe ka dalë në vendin e ngjarjes, në autostradën Kaçanik–Ferizaj, për të ndihmuar në kërkimin e personit të aksidentuar.
“Fatkeqësisht, viktima ka rënë nga një lartësi e urës dhe ka humbur jetën në vend. Ky është një moment dhimbjeje e pikëllimi për të gjithë ne. Në këto çaste të rënda, jemi pranë familjes Halabaku me zemër e me lutje. Zoti e mëshiroftë të ndjerin dhe i dhashtë forcë familjes për ta përballuar këtë humbje të madhe”, ka shkruar Neziri.
Ngushëllime familjes i ka shprehur edhe kryetari i Vitisë, Sokol Haliti pasi që viktima është nga fshati Pozheran i Vitisë.
“Me dhimbje të thellë pranova lajmin për vdekjen tragjike të të riut Ideal Halabaku, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme dhe të dhimbshme, duke lënë pas pikëllim të madh tek familja, miqtë dhe te e gjithë shoqëria jonë. Në emrin tim personal dhe në emër të Komunës së Vitisë, i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes Halabaku, të afërmve, shokëve dhe të gjithë atyre që e njohën Idealin. Humbja e një jete të re është gjithmonë e rëndë, por kujtimi për Idealin do të mbetet i gjallë tek të gjithë ata që e njohën si djalë shembullor, i dashur dhe plot jetë. Në këto momente të rënda, jemi pranë familjes Halabaku me zemër dhe mendje, duke ndarë me ta dhimbjen e madhe”, ka shkruar Haliti.