Gjyqtarët e Speciales në mes të korrikut e marrin vendimin për mocionin për rrëzimin e akuzave ndaj krerëve të UÇK-së
Trupi Gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka lëshuar një urdhër të rishikuar lidhur me zhvillimet e ardhshme procedurale. Sipas njoftimit, Trupi Gjykues ka urdhëruar ekipet e mbrojtjes të paraqesin një mocion të përbashkët sipas rregullës 130 deri më 12 qershor, ndërsa Prokuroria duhet të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 7…

Lajme
Trupi Gjykues në çështjen ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve ka lëshuar një urdhër të rishikuar lidhur me zhvillimet e ardhshme procedurale. Sipas njoftimit, Trupi Gjykues ka urdhëruar ekipet e mbrojtjes të paraqesin një mocion të përbashkët sipas rregullës 130 deri më 12 qershor, ndërsa Prokuroria duhet të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 7 korrik.
Gjykata synon të marrë vendimin përkatës në javën që fillon më 14 korrik. Në rast se mocioni i mbrojtjes refuzohet tërësisht ose pjesërisht, Mbrojtësi i Viktimave duhet të jetë i gatshëm të thërrasë dëshmitarët e tij më 16 korrik.
Konferenca Përgatitore e Mbrojtjes parashikohet të mbahet më 21 korrik.
Njoftimi:
Më 5 qershor 2025, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët lëshoi një urdhër të rishikuar lidhur me caktimin e hapave të ardhshëm në këtë procedurë.
Në vendimin e tij më të fundit mbi pranimin e provave të ZPS-së, të dorëzuar në mënyrë konfidenciale më 29 maj të këtij viti, Trupi Gjykues urdhëroi ekipet e Mbrojtjes të dorëzojnë mocionin e përbashkët në përputhje me rregullën 130, deri më 12 qershor, ndërsa ZPS-ja u urdhërua të dorëzojë përgjigjen e saj deri më 14 korrik.
Megjithatë, në vendimin e sotëm, Trupi Gjykues e gjeti të përshtatshme, proprio motu (me iniciativën e vet), të zvogëlojë afatin kohor për përgjigjen e ZPS-së më 7 korrik. Trupi Gjykues theksoi se aktualisht synon të nxjerrë vendimin e tij sipas rregullës 130 në javën që fillon më 14 korrik. Nëse Trupi Gjykues e refuzon mocionin e Mbrojtjes sipas rregullës 130 tërësisht ose pjesërisht, Mbrojtësi i Viktimave urdhërohet të përgatitet për të thirrur dëshmitarët e tij më 16 korrik, ndërsa ekipet e Mbrojtjes duhet të njoftojnë nëse synojnë të dorëzojnë provat e tyre deri më 16 korrik. Për më tepër, Trupi Gjykues aktualisht synon të mbajë Konferencën Përgatitore të Mbrojtjes në javën që fillon më 21 korrik.