Kërkohet lirimi me kusht i Ratko Mladiq

Mbrojtja e ish-komandantit të luftës të Ushtrisë së Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, Ratko Mladiq, i ka kërkuar kryetares së gjykatës ndërkombëtare në Hagë që klienti i tyre të lirohet urgjentisht për arsye humanitare, duke u mbështetur në vlerësimet e mjekëve se ai pritet të vdesë së shpejti. Kërkesa, e cila u publikua sot…

Lajme

05/06/2025 09:50

Mbrojtja e ish-komandantit të luftës të Ushtrisë së Republikës Srpska në Bosnje e Hercegovinë, Ratko Mladiq, i ka kërkuar kryetares së gjykatës ndërkombëtare në Hagë që klienti i tyre të lirohet urgjentisht për arsye humanitare, duke u mbështetur në vlerësimet e mjekëve se ai pritet të vdesë së shpejti.

Kërkesa, e cila u publikua sot nga gjykata, është parashtruar nga avokati mbrojtës Dragan Ivetiq me arsyetimin se shërbimi mjekësor “i ka thënë Mladiqit dhe familjes së tij se ai nuk mund të shërohet” dhe se “jeta e tij tani matet me muaj”.

Mladiq, 83 vjeçar, u dënua nga Tribunali i Hagës me burgim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë dhe krime kundër njerëzimit ndaj myslimanëve dhe kroatëve në Bosnje e Hercegovinë, përfshirë terrorizimin e civilëve në Sarajevë nga viti 1992 deri më 1995.

Ai ndodhet në paraburgim në Hagë që nga fundi i majit 2011, kur u arrestua në Serbi dhe iu dorëzua Tribunalit.

Në arsyetimin e trupit mbrojtës thuhet se për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore, nuk ekziston rrezik që Mladiq të arratiset. Mladiq që nga marsi i vitit të kaluar ka përjetuar tre “incidente mjekësore” të cilat, sipas mjekëve, ishin “kërcënuese për jetën”.

Detajet e problemeve shëndetësore të Mladiqit janë redaktuar në kërkesë.

Sipas mbrojtjes, mjekët kanë vlerësuar gjithashtu se Mladiq ka nevojë për “kujdes intensiv dhe specialistik” që e merr aktualisht në spitalin e burgut.