Sejdiu: Kërcënim i dobët i VV-së mbajtja e dy palë zgjedhjeve për një ditë

Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka folur mbi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe atyre nacionale në një ditë. Sejdiu tha se nuk e sheh fare si opsion që zgjedhjet lokale dhe nacionale të mbahet për një ditë, por tha se këtë më shumë e sheh si kërcënim të dobët nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.…

Lajme

04/06/2025 21:33

Analisti politik, Dardan Sejdiu, ka folur mbi mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve lokale dhe atyre nacionale në një ditë.

Sejdiu tha se nuk e sheh fare si opsion që zgjedhjet lokale dhe nacionale të mbahet për një ditë, por tha se këtë më shumë e sheh si kërcënim të dobët nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje.

“Nuk e shoh si opsion fare që zgjedhjet lokale dhe nacionale të mbahen për një ditë. Më shumë e shoh si një kërcënim të dobët, duke e parë edhe pozicionin goxha komod politik që e ka një njëri, i cili e ka bllokuar kuvendin dhe rri në Zyrën e Kryeministrit”.

“Besoj që politikisht i konvenon më shumë që zgjedhjet nacionale të shkojnë pas zgjedhjeve lokale. Prej kësaj jave veçse jemi duke folur për kandidatë për zgjedhje lokale. Kur të përfundon balotazhi futemi në festa të fundvitit dhe pastaj tek pas festave të fundvitit, kah shkurti, nisim të flasim për qeveri”, tha Sejdiu në Klan Kosova.

Më tej, Sejdiu u shpreh se qeveri në rastin më të mirë, Kosova do të ketë në mars apo prill, ndërsa në rastin më të keq, deri në qershor.

“Qeveri në rastin më të mirë e kemi në mars apo prill të vitit të ardhshëm, nëse s’ka zgjedhje. Nëse ka zgjedhje, në qershor të vitit të ardhshëm. Deri atëherë jemi pa qeveri dhe jemi në diskutim për zgjedhje lokale”, tha ai.