“Zgjidhjet pritet të bien nga qielli” – Gashi kritikon rregulloren e Kuvendit që s’lejon debat

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi me anë të një postimi ka kritikuar rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës. Gashi në postimin e tij ka shkruar se deputetët po ftohen në seanca që të mos komunikojnë dhe zgjidhjet pritet të bien nga qielli, shkruan lajmi.net Në postimin e tij ai ka shkruar se Kuvendi është…

Lajme

04/06/2025 14:54

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi me anë të një postimi ka kritikuar rregulloren e re të Kuvendit të Kosovës.

Gashi në postimin e tij ka shkruar se deputetët po ftohen në seanca që të mos komunikojnë dhe zgjidhjet pritet të bien nga qielli, shkruan lajmi.net

Në postimin e tij ai ka shkruar se Kuvendi është për ide, debat e për zgjidhje, jo për të heshtur.

Postimi i plotë:

Rregullorja nuk lejon debat!?
Mirë se vini në parlamentarizmin tonë të çuditshëm – ku deputetët janë të ftuar të heshtin, partitë ftohen të mos komunikojnë, dhe zgjidhjet pritet të bien nga qielli!
Na thuhet se “rregullorja nuk lejon debat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”. Po kush e ndalon debatin për gjendjen politike? Kush e ndalon idenë? Apo ndoshta frika nga fjala është bërë më e madhe se vetë kriza?
Në 2014, ne bashkë me VV-në si koalicion VLAN, e merrnim fjalën, kërkonim zgjidhje, ballafaqonim ide. Sot? Heshtje! Sepse rregullorja “nuk lejon”.
Por nëse Kuvendi nuk flet, kush do ta zgjidhë krizën? Rrjetet sociale? Kafet? Apo ndoshta horoskopi?
Kuvendi është për debat. Për ide. Për zgjidhje. Jo për teatrin e heshtjes me regji ditore politike./lajmi.net/