Krasniqi kritikon mungesën e Kurtit dhe kreut të Listës Serbe në takimin me Presidenten: Dy palë zgjedhjet në të njëjtën datë nuk mund të mbahen

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar për media pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për datën e zgjedhjeve lokale. Ai ka kritikuar kryetarin e VV-së, apo kryeministrin në detyrë Albin Kurtin i cili mungoi në këtë takim dhe përveç tij gjithashtu mungoi edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek. “E para e…

Lajme

04/06/2025 15:00

Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi është deklaruar për media pas takimit me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani për datën e zgjedhjeve lokale.

Ai ka kritikuar kryetarin e VV-së, apo kryeministrin në detyrë Albin Kurtin i cili mungoi në këtë takim dhe përveç tij gjithashtu mungoi edhe kryetari i Listës Serbe, Zlatan Elek.

“E para e punës ajo që dëshiroj të theksoj dhe nuk ishte aspak e mirë, është se nga të gjitha partitë e ftuara vetëm kryetari i VV-së dhe kryetari i Listës Serbe munguan apo bojkotuan në këtë takim. Mendoj se një takim kaq i rëndësishëm që mbahet njëherë në katër vjet do të duhej të ishte prioritet siç është prioritet për neve, por në këtë rast bojkotimin e takimit me presidenten e bënë vetëm Albin Kurti dhe Zlatan Elek.  Unë nuk po pretendoj se ata e bënë me marrëveshje por vërtetë lan një shije të keqe kjo mungese”, ka thënë Krasniqi.

Në lidhje me zgjedhjet e përgjithshme, ai ka thënë se jemi në bllokadë institucionale shkaku i “kryeneçësisë” së VV-së e për propozimin e Albulena Haxhiut për kryekuvendare, Krasniqi ka thënë se nuk i ka as nuk do ti ketë votat.

“Mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme brenda një procesi kushtetues edhe nëse nuk është zgjedhja e pare as e partive as e qytetarëve, mund të bëhet e domosdoshme. Qëndrimi ynë si parti ju e dini ka qenë i ditur, unë kam shku edhe një hap tutje i kam propozu datat e mundshme për këto zgjedhje, por unë tashmë nuk e shoh të mundshme që zgjedhjet të mbahen në të njëjtën datë. Afatet kushtetuese janë kokëforta ne nuk mundemi me i adaptu as me i interpretu Kushtetutën jashtë afateve. Por a mundemi me mbajt zgjedhje më herët, jashtë zgjedhjeve lokale në kuptimin teorik e mundshme është. Kjo varet edhe nga vullneti i partive tjera politike, por gjatë gjithë kësaj kohe ne jemi munduar me pas një rol konstruktiv i cili jep rrugëdalje nga kjo krizë nga ky moçal në të cilin na ka vendos LVV dhe Albin Kurti. Të gjitha mocionet janë të pranueshme nëse ato i japin drejtim një qeveri të re ku nuk është Albin Kurti”, ka thënë Krasniqi.

Në lidhje me kandidatët e tyre për kryetarë të komunave, Krasniqi ka thënë se do t’i miratoj kryesia e partisë.

“Ne pak a shumë i dim kandidatët por tradita në PDK është se ne i respektojmë afatet e brendshme statutore, ne shumë shpejt e kemi një vendim. E kemi prit datën dhe pastaj do të kemi një proces të shpalljeve të kandidaturave të degëve tona dhe pastaj në pajtim me statutin e PDK-së do t’i miratoj kryesia e PDK-së këto kandidatura”, ka shtuar ai. /Lajmi.net/