Pajisjet ndihmëse për paraplegjikët mbesin në depo, MSh-së dhe SHSKUK-së i kërkohet zhbllokim urgjent
Organizata HANDIKOS ka shprehur shqetësim të thellë për bllokimin e procesit të shpërndarjes së pajisjeve ndihmëse për personat me status paraplegjik dhe tetraplegjik, ndonëse për këtë qëllim janë ndarë mjete buxhetore dhe është miratuar baza ligjore përkatëse. Sipas HANDIKOS-it, edhe pse Qeveria e Kosovës kishte ndarë 6.4 milionë euro për furnizimin me pajisje ndihmëse dhe…

Lajme
Organizata HANDIKOS ka shprehur shqetësim të thellë për bllokimin e procesit të shpërndarjes së pajisjeve ndihmëse për personat me status paraplegjik dhe tetraplegjik, ndonëse për këtë qëllim janë ndarë mjete buxhetore dhe është miratuar baza ligjore përkatëse.
Sipas HANDIKOS-it, edhe pse Qeveria e Kosovës kishte ndarë 6.4 milionë euro për furnizimin me pajisje ndihmëse dhe ishte miratuar udhëzimi administrativ që përcakton ofrimin falas të këtyre pajisjeve për persona me aftësi të kufizuara, shpërndarja e tyre është bllokuar tash e një vit.
“Pajisjet ndodhen në depot e SHSKUK-së, por nuk janë shpërndarë ende, duke rrezikuar të bëhen të papërdorshme për shkak të afatit të kufizuar të përdorimit”, thuhet në reagimin e organizatës.
HANDIKOS vlerëson se kjo situatë jo vetëm që përbën humbje të investimit publik, por edhe dëmton rëndë cilësinë e jetës së përfituesve, të cilët varen nga këto pajisje për mobilitet dhe përfshirje në jetën shoqërore.
Organizata kërkon masa urgjente nga SHSKUK dhe Ministria e Shëndetësisë për zhbllokimin e procesit dhe fillimin e menjëhershëm të shpërndarjes së pajisjeve, duke e konsideruar këtë si një nga vendimet më të rëndësishme për personat me aftësi të kufizuara në vend.