Policia e Kosovës thellon partneritetin me institucionet e sigurisë së Turqisë
Një delegacion i Policisë së Kosovës, i kryesuar nga drejtori i përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha, realizoi një vizitë zyrtare në Ankara të Turqisë nga 29 deri më 30 maj, ku u zhvilluan takime të nivelit të lartë me autoritetet turke të sigurisë. Qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë dhe…

Lajme
Një delegacion i Policisë së Kosovës, i kryesuar nga drejtori i përgjithshëm, kolonel Gazmend Hoxha, realizoi një vizitë zyrtare në Ankara të Turqisë nga 29 deri më 30 maj, ku u zhvilluan takime të nivelit të lartë me autoritetet turke të sigurisë.
Qëllimi i vizitës ishte forcimi i bashkëpunimit bilateral në fushën e sigurisë dhe shkëmbimi i përvojave në luftën kundër krimit të organizuar, trafikimit të narkotikëve, terrorizmit dhe krimeve kibernetike.
Një pritje zyrtare për delegacionin u mbajt nga drejtori i përgjithshëm i sigurisë së Turqisë.
Në këto takime, palët diskutuan për mënyrat konkrete të bashkëpunimit, përfshirë zhvillimin e trajnimeve të përbashkëta, ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe përmirësimin e koordinimit operativ në çështje të përbashkëta të sigurisë.
Drejtori Hoxha falënderoi autoritetet turke për mikpritjen dhe përkushtimin e tyre për thellimin e bashkëpunimit, duke e cilësuar vizitën si një hap të rëndësishëm drejt partneritetit strategjik mes Policisë së Kosovës dhe institucioneve homologe në Turqi.
“Takime të tilla janë thelbësore për përmirësimin e performancës sonë institucionale dhe sigurinë e qytetarëve tanë. Po ndërtojmë një bashkëpunim të qëndrueshëm që do të vazhdojë me hapa konkretë”, tha Hoxha.
Të dyja palët u zotuan se do të vazhdojnë komunikimin e ngushtë dhe do të ndërmarrin veprime të përbashkëta për të garantuar sigurinë në të dyja vendet.