Rritje e konsiderueshme e kafshëve të egra, Policia apelon për kujdes në zonën malore të Shtërpcës

Policia e Kosovës ka njoftuar se është vërejtur një rritje e konsiderueshme e pranisë së kafshëve të egra veçanërisht e arinjve në territorin e komunës së Shtërpcës. Raportimet e përditshme tregojnë se këto kafshë janë parë në afërsi të vendbanimeve, çka paraqet një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve. Sipas Policisë, situata bëhet edhe…

Lajme

02/06/2025 16:33

Policia e Kosovës ka njoftuar se është vërejtur një rritje e konsiderueshme e pranisë së kafshëve të egra veçanërisht e arinjve në territorin e komunës së Shtërpcës.

Raportimet e përditshme tregojnë se këto kafshë janë parë në afërsi të vendbanimeve, çka paraqet një rrezik të drejtpërdrejtë për sigurinë e qytetarëve.

Sipas Policisë, situata bëhet edhe më shqetësuese në zonat malore përreth Brezovicës, sidomos përreth liqeneve të Shtërpcës, me theks tek liqeni i Jazhincës, ku çdo ditë qëndrojnë një numër i madh turistësh dhe vizitorësh vendorë e të huaj.

“Shumë prej tyre janë në kontakt të afërt me kafshët e egra, duke bërë fotografi dhe video nga distanca të papërshtatshme (vetëm 10-20 metra larg), veprime të cilat mund të çojnë në pasoja serioze për jetën e tyre. Apelojmë ndaj të gjithë qytetarëve, sidomos familjeve me fëmijë, që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë qëndrimit në natyrë dhe të shmangin çdo afrim ndaj kafshëve të egra. Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, do të ndërmerren masa informuese dhe parandaluese. I ftojmë gjithashtu mediat që të ndihmojnë në shpërndarjen e këtij apeli, me qëllim vetëdijesimin e qytetarëve dhe mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të të gjithëve”, thuhet në njoftim.