Igli Tare si drejtor i Milanit: Klubi e njeh vendosmërinë dhe vullnetin tim për të bërë mirë, do të vë gjithë eksperiencën time në shërbim
Pas javësh me zëra dhe negociata, Milani ka tani drejtorin e tij të ri sportiv. Klubi kuqezi ka zgjedhur për këtë rol Igli Taren. Ish-drejtuesi i Lazios, përmes faqes zyrtare të Milanit, u shpreh kështu për aventurën e tij të re: “Të bëhesh pjesë e një klubi si Milani është burim krenarie dhe përgjegjësie të…

Sport
Pas javësh me zëra dhe negociata, Milani ka tani drejtorin e tij të ri sportiv. Klubi kuqezi ka zgjedhur për këtë rol Igli Taren.
Ish-drejtuesi i Lazios, përmes faqes zyrtare të Milanit, u shpreh kështu për aventurën e tij të re:
“Të bëhesh pjesë e një klubi si Milani është burim krenarie dhe përgjegjësie të madhe. Falënderoj klubin për besimin që më dha, duke ma besuar këtë detyrë. Klubi e njeh vendosmërinë dhe vullnetin tim për të bërë mirë, do të vë gjithë eksperiencën time në shërbim të Milanit, që ka si objektiv absolut rikthimin si protagonist në Itali dhe Europë”.
Edhe administratori i deleguar i Milanit, Giorgio Furlani, komentoi emërimin e Tares si drejtor i ri sportiv:
“Jemi të lumtur ta mirëpresim Igli Taren në familjen kuqezi. Është zgjedhja e duhur për të nisur nga e para. Kompetenca, vendosmëria dhe vlerat e forta, të bashkuara me njohjen solide të futbollit italian dhe vizionin ndërkombëtar, e bëjnë figurën e tij ideale për të kontribuar në rilindjen e klubit tonë. Do ta synojmë këtë përmes zhvillimit të një projekti sportiv ambicioz”.
Lajmin e emërimit të shqiptarit si drejtor sportiv e bëri të ditur vetë klubi kuqezi me këtë komunikatë zyrtare, ku jepen edhe të gjitha detajet për fillimin e aventurës së re të ish-drejtuesit të Lazios në “Milanello”, përcjell Noa.
“AC Milan njofton se i ka besuar rolin e drejtorit sportiv të skuadrës së parë Igli Tares, i cili do të raportojë tek administratori i deleguar i klubit, Giorgio Furlani. I lindur në Vlorë (Shqipëri) më 25 korrik 1973, Tare ka fituar përvojë të gjatë në futbollin profesionist italian, duke veshur fanellat e Brescia, Bologna dhe Lazio.
Pas përfundimit të karrierës si futbollist, ai u afirmua si drejtues i nivelit të lartë, duke mbajtur për më shumë se 15 vite rolin e drejtorit sportiv të S.S. Lazio dhe kontribuar në sukseset e fundit të klubit bardhekaltër, përfshirë tri Kupa të Italisë dhe tri Superkupa Italiane”.