Policia e Kosovës me fakte demanton propagandën serbe: Maturanti serb e kishte ngjyrosur qafën me marker të kuq, e ka pranuar edhe në deklaratën e tij në stacion
Policia e Kosovës me anë të një konference për media ka demantuar me fakte pretendimet e mediave serbe se në incidentin e 23 majit në Mitrovicë të Veriut është përdorur dhunë e tepruar dhe se është lënduar një maturant serb. Në konferencë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se qafa e maturantit serb…

Lajme
Policia e Kosovës me anë të një konference për media ka demantuar me fakte pretendimet e mediave serbe se në incidentin e 23 majit në Mitrovicë të Veriut është përdorur dhunë e tepruar dhe se është lënduar një maturant serb.
Në konferencë, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se qafa e maturantit serb ishte ngjyrosur me marker të kuq para se të ndodhte intervenimi i policisë, shkruan lajmi.net
Shenja të tilla në qafë kishin edhe pjesëmarrës tjerë, njofton Hoxha.
Pjesë nga prononcimi i Gazmend Hoxhës në konferencë për media sot:
Policia e Kosovës dëshiron të reagoj për disa raportime të pasakta të publikuara kryesisht në media dhe qarqe serbe, të cilat në mënyrë të pavërtetë pretendojnë për një protestë, eskalim apo përdorim të dhunës së tepruar me 23 maj nga ana e Policisë së Kosovës.
PK sqaron me përgjegjësi të plotë institucionale se aktiviteti në fjalë nuk ka qenë protestë por edhe siç ka qenë e bërë e ditur më herët, është fjala për një defilim të maturantëve të komunës së Mitrovicës së Veriut i cili ishte raportuar në mënyrë të rregullt në Policinë e Kosovës.
Në funksion të garantimit të rendit dhe sigurisë publike, PK me njësitë e saja të rendit publik ka qenë e pranishme gjatë këtij aktiviteti për të mbështetur zhvillimin e tij të qetë dhe pa incidente.
Gjatë zhvillimi të defilimit, saktësisht tek pjesa e kafiterive, disa pjesëmarrës kanë filluar të provokojnë qytetarët që kanë qenë ulur në kafiteri me thirrjet “Kosova është zemra e Serbisë” dhe duke bërë simbolin me tre gishtërinj. Në këto rrethana, me qëllimin e vetëm që situata të mos përshkallëzohet mes nxënësve dhe qytetarëve që kanë qenë në kafiteri kanë ndërhyrë pjesëtarët e PK-së që kanë qenë të caktuar për mbarëvajtjen e këtij manifestimi.
Në rastin konkret kur zyrtarët e rendit publik të PK-së veprojnë për të parandaluar dhe për të kërkuar që të mos ketë provokime të mëtejshme, në media të ndryshme është shfaqur një person ndaj të cilit pretendohet se është përdorur dhunë e tepruar nga zyrtarët policorë. PK ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme, për të kryer hetimet dhe ekzaminimet e nevojshme, ku janë sqaruar të gjitha rrethanat e veprimet e zyrtarëve tanë policor.
Janë evidentuar imazhet e shfaqura të personit në hapësirën e qafës, ku pretendohej se kinse kishte gjak, ka rezultuar të jetë ngjyrë e vendosur nga shokët e tij të klasës. Në këto imazhe është vërtetuar se shenjat me ngjyrë në qafë i kishte pasur edhe para veprimit apo para intervenimit të zyrtarëve tanë policor, ku shenja të tilla me ngjyrë kanë pasur edhe persona të tjerë pjesëmarrës.
Po ashtu edhe në deklaratën e tij zyrtare të vet palës që e ka dhënë dje, në stacionin policor në Mitrovicë, deklaratë që e ka dhënë në prezencë të prindit të tij, ka thënë se këto shenja janë të vendosur me ngjyrë markeri nga shokët e klasës së tij, pasi kjo është një traditë që përdoret në festat e maturantëve të shkollave të mesme në Mitrovicë Veriore.
Vlen të theksohet se gjatë intervistës së tij, i njëjti nuk ka poseduar ndonjë lëndim të shfaqur./lajmi.net/