Deputetja e Nismës: Vendi mund të dalë nga kjo situatë vetëm përmes një marrëveshjeje politike, jemi të hapur për të kontribuar
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka folur për pritjet për seancën e radhës konstituive. Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se do të kenë qëndrim konstruktiv dhe të përgjegjshëm, teksa ka theksuar se Nisma nuk është problemi por që është e gatshme të jetë pjesë e zgjidhjes. “Nisma, si gjithmonë, do…

Lajme
Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, ka folur për pritjet për seancën e radhës konstituive.
Ajo në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se do të kenë qëndrim konstruktiv dhe të përgjegjshëm, teksa ka theksuar se Nisma nuk është problemi por që është e gatshme të jetë pjesë e zgjidhjes.
“Nisma, si gjithmonë, do të ketë qëndrim konstruktiv dhe të përgjegjshëm. Ne nuk jemi pjesë e problemit, por jemi të gatshëm të jemi pjesë e zgjidhjes. Nëse shihet vullnet real për të ndërtuar shumicën dhe për të lëvizur drejt konsolidimit të institucioneve, Nisma do të reflektojë këtë realitet me përgjegjësi dhe qartësi”, ka thënë ajo.
Se si duhet vepruar që vendi të dalë nga ngërçi politik, deputetja thotë se nevojitet marrëveshje politike, për çka Nisma është e hapur për të kontribuar, me qëllim që të krijohet shumica dhe të nisë qeverisja.
“Vendi mund të dalë nga kjo situatë vetëm përmes një marrëveshjeje politike që i jep fund kalkulimeve të ngushta dhe i kthen prioritetin funksionalizimit të institucioneve. Nevojitet një qasje e re, e bazuar në dialog të sinqertë, respekt për votën e qytetarëve dhe ndarje të drejtë të përgjegjësive. Nisma është e hapur për të kontribuar në këtë drejtim – me qëllimin që të krijohet shumica dhe të fillohet qeverisja. Nëse kërkohet përgjegjësi institucionale, jemi të gatshëm ta marrim atë. Është koha që vendi të lë pas krizën politike dhe të fokusohet në prioritetet e qytetarëve”, ka deklaruar deputetja Xhevahire Izmaku.