Avokati Bajraktari: Vendimet e Qeverisë në detyrë janë në shpërputhje me Kushtetutën, krijojnë pasiguri juridike
Avokati Ardian Bajraktari ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ligjshmërinë e vendimeve të marra nga Qeveria e Kosovës në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti. Gjatë periudhës 9 shkurt – 27 mars, kjo qeveri ka marrë gjithsej 76 vendime, ndërkohë që 13 prej tyre konsiderohen tejkalim i kompetencave të një qeverie në largim, përfshirë…

Lajme
Avokati Ardian Bajraktari ka ngritur shqetësime serioze lidhur me ligjshmërinë e vendimeve të marra nga Qeveria e Kosovës në detyrë, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti.
Gjatë periudhës 9 shkurt – 27 mars, kjo qeveri ka marrë gjithsej 76 vendime, ndërkohë që 13 prej tyre konsiderohen tejkalim i kompetencave të një qeverie në largim, përfshirë emërime në pozita publike dhe miratime të dokumenteve strategjike.
Avokati Bajraktari theksoi se vendimmarrja në këtë fazë është jo vetëm e papërgjegjshme politikisht, por edhe në kundërshtim me rendin kushtetues dhe ligjor të Kosovës.
Ai veçoi rastin e mbajtjes së funksioneve të dyfishta nga anëtarët e Qeverisë që njëkohësisht janë zgjedhur deputetë.
“Është e qartë se derisa një person nuk mund të jetë edhe deputet i zgjedhur dhe të ushtrojë funksione të tjera si anëtar i Qeverisë. Ushtrimi i funksionit edhe si deputet pas betimit edhe si anëtarë i Qeverisë është në shpërputhje ligjore” tha Bajraktari.
Ai shtoi se në një situatë të tillë, përgjegjësia bie mbi vetë zyrtarët e zgjedhur.
“Ishte dashur që deputetët e zgjedhur të japin dorëheqje nga detyrat dhe ato të delegohen te zëvendësit e tyre,” theksoi Bajraktari, duke e cilësuar këtë sjellje institucionale si një “shkelje të Kushtetutës dhe të ligjit”.
Më tej, avokati paralajmëroi për pasoja juridike që mund të vijnë si rezultat i këtyre vendimeve.
“Qasja e tillë është shkelje e Kushtetutës së ligjit, është edhe e rrezikshme sepse krijon pasiguri të madhe juridike për këto vendime që janë marrë gjatë kësaj periudhe,” deklaroi ai për frontonline.