Kallas deklarohet nga veriu: Njëra palë thotë diçka, e pala tjetër diçka- mendoj se ndërkombëtarët e japin një pasqyrë më të saktë
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka deklaruar se ka versione të ndryshme të palëve në vizitën e saj të paparalajmëruar në veri të vendit, nga ku edhe u deklarua për media. Kallas tha se vizitë në veri të Kosovës është e rëndësishme sepse shihen shumë narrative të ndryshme. “Është e nevojshme të…

Lajme
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas ka deklaruar se ka versione të ndryshme të palëve në vizitën e saj të paparalajmëruar në veri të vendit, nga ku edhe u deklarua për media.
Kallas tha se vizitë në veri të Kosovës është e rëndësishme sepse shihen shumë narrative të ndryshme.
“Është e nevojshme të jemi dëshmitarë vetë çfarë po ndodh në teren dhe çfarë po thonë njerëzit”,shtoi ajo.
Kallas tha se sipas saj, njëra palë thotë diçka e tjetra palë thotë krejt diçka tjetër.
“Mendoj se këto janë informacione jashtëzakonisht të rëndësishme për mua që ta kuptoj më mirë situatën, sepse shohim që njëra palë thotë një gjë dhe pala tjetër thotë diçka tjetër. Por mendoj se forcat ndërkombëtare që janë këtu po japin një pasqyrë mjaft të saktë dhe është gjithashtu e rëndësishme të flasim me njerëzit në vend. Dhe më pas duhet të shohim se çfarë mund të bëjmë më shumë në mënyrë që e ardhmja të jetë e begatë, e sigurt dhe e qetë për të gjithë në Kosovë, shtoi Kallas, transmeton lajmi.net.
Kryediplomatja e Bashkimit Evropian që vizitoi sot veriun e Kosovës, po ashtu qëndroi edhe tek gjykata dhe tha se është funksionale dhe se është duke pritur që gjyqtarët serbë të kthehen në vendet e punës.
“Gjithashtu u takova me përfaqësues të shkollave këtu për të kuptuar situatën dhe për të biseduar drejtpërdrejt me njerëzit, për të parë me sytë e mi se çfarë po ndodh. Ata, natyrisht, janë në lëvizje dhe unë kam folur me KFOR-in, gjithashtu edhe me misionin e EULEX-it, për të marrë përshtypjet e tyre për situatën në terren”.
Pas vizitës që pati në Serbi, Kallas dje qëndroi në Prishtinë ku takoi liderët e partive politike.
Në darkë ajo pati një takim me kreun e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministri në detyrë Albin Kutri ku thuhet se u diskutua për masat e vendosura nga BE-ja, situatën e krijuar pas zgjedhjeve e çështjet e veriut./Lajmi.net/