Mblidhen deputetët, përpjekja e 20-të sot për konstituim të Kuvendit të Kosovës
Deputetët do të mblidhen sërish sot për një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e njëzet me radhë që prejj 15 prillit kur ka filluar seanca konstituive. Vazhdimi i seancës konstituive bëhet në orën 11:00 dhe nuk pritet ndonje ndryshim nga ditët e mëparshme. Në vazhdimin e seancës ditën…

Lajme
Deputetët do të mblidhen sërish sot për një tentim të radhës për konstituim të Kuvendit të Kosovës. Kjo është përpjekja e njëzet me radhë që prejj 15 prillit kur ka filluar seanca konstituive.
Vazhdimi i seancës konstituive bëhet në orën 11:00 dhe nuk pritet ndonje ndryshim nga ditët e mëparshme.
Në vazhdimin e seancës ditën e mërkurë nuk pati kuorum për vendimmarrjen mbi komisionin për votimin e fshehtë.
Çështja e konstituimit të legjislaturës së nëntë ka ngecur te votimi i kryetarit të Kuvendit pasi partia e parë e dalë nga zgjedhjet e nëntë shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje – në koalicion me Guxo dhe Alternativa nuk po arrin t’i sigurojë 61 votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare.
Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë kërkuar ndërrim të kandidatit të propozuar ndërkaq, Lidhja Demokratike e Kosovës është shprehur kundër çdo propozimi të Lëvizjes Vetëvendosje.
Propozimi – për disa herë me radhë – i kryesuesit të seancës, Avni Dehari, që procesi i votimit të bëhet në mënyrë të fshehtë, nuk po merr përkrahje nga partitë e tjera parlamentare.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë propozuar edhe që vazhdimet e seancave të mos bëhen çdo 48 orë – siç e kërkon rregullorja e Kuvendit, por të bëhen një herë në javë.
Në përpjekje për të zhbllokuar situatën, javën që shkoi, presidentja Vjosa Osmani takoi përfaqësuesit e partive politike, por as aty nuk pati pajtim për konstituim të Kuvendit.
Thirrje për dalje nga ngërçi ka bërë edhe shefja e diplomacisë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, e cila po qëndron për vizitë në Kosovë.
Të enjten, më 22 maj, Kallas u bëri thirrje politikanëve që janë në Kuvend që të bashkëpunojnë për të zhbllokuar situatën.
Në një konferencë për media në Prishtinë, Kallas kujtoi se formimi i institucioneve të reja është “thelbësor për stabilitetin dhe të ardhmen evropiane të Kosovës”.