“Si përmendet puna ndërmarrjes sonë, kur ne edhe me kuaj kemi bajt bërllok” – Punëtorët e KRM “Pastrimi” të revoltuar para Komunës

Punëtorët e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimit”, sot kanë filluar grevën para Komunës së Prishtinës, pasi sipas kompanisë Komuna e Prishtinës iu ka borxh afro 2.7 milionë euro, borxh ky që po iu pamundëson atyre të kryejnë operimet e tyre. Punëtorët e KRM “Pastrimit”, sot para nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Shkëmb Manaj kanë thënë…

Lajme

22/05/2025 10:04

Punëtorët e Kompanisë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimit”, sot kanë filluar grevën para Komunës së Prishtinës, pasi sipas kompanisë Komuna e Prishtinës iu ka borxh afro 2.7 milionë euro, borxh ky që po iu pamundëson atyre të kryejnë operimet e tyre.

Punëtorët e KRM “Pastrimit”, sot para nënkryetarit të Komunës së Prishtinës, Shkëmb Manaj kanë thënë se nga sot janë në grevë, jo në protestë derisa të plotësohen kërkesat e tyre që i kanë shtruar.

Në lidhje me këto kërkesa, Manaj ka thënë se do të gjejnë zgjidhje dhe do t’i kryejnë obligimet ndaj ndërmarrjes, shkruan lajmi.net.

“Nuk e di qysh përmendet shumë shpesh puna e përgjegjësisë së ndërmarrjes sonë, kur ne kemi dit me kuaj me bajt bërllok, kur ne kemi dit tradicionalisht me i kry këto operacione në qytetin e Prishtinës, pa marrë parasysh numrin e banorëve. Kemi dit me e nxjerr njeriun prej borës me e pru në qytet, në kushte ekstreme të dimrit, kemi dit me e la rrugën edhe kur nuk ka qenë me e la. Shumë herë e kemi privilegju edhe politikën duke i la rrugët para dyerve të tyre, X kryetarit e X kryekuvendarit. Krejt këto peripeci kur ne i kaluam pa asnjë barrierë. Tash e 1 vit e gjysme ne jemi në krizë të ndërmarrjes, e nëse jemi ne në këtë krizë atëherë nuk po munden 4 persona me u ul e me zgjidh çështjen shumë të vogël krahas atyre sfidave që i kemi pas më herët, atëherë unë po habitna për gati 30 vite të mia këtu. Vërejtja është te kryetari dhe drejtori i Shërbimeve Publike, ata janë themeluesit dhe aksionarë tonë. Është kryeshefi ynë me kryesuesin e Bordit. Pse këta 4 persona nuk gjetën kohë për me u taku. Takohuni mes vete se nuk jemi armiq”, ka thënë njëri nga punëtorët e KRM “Pastrimit” drejtuar nënkryetarit Manaj.

Manaj ndërkaq ka vazhduar të premtoj se do të gjendet një zgjidhje për këtë situatë të shkaktuar dhe se këto procese nuk duhet të politizohen.

Ndërmarrja KRM “Pastrimi” tash e disa javë ka ndërprerë operimin në kryeqytet, ndërsa mbeturinat për disa ditë patën mbuluar Prishtinën. Komuna e Prishtinës në vazhdimësi ka ndërhyrë përmes kompanive private por që gjendja e mbeturinave vazhdon të jetë e rëndë ndërsa punëtorët e kompanisë vazhdojnë të mbetet pa paga. /Lajmi.net/