Ngjarje e rëndë në Fushë Kosovë: 14-vjeçarja raportohet se u rrëmbye nga katër persona, nëna e saj lëndohet gjatë përpjekjes për ta ndihmuar
Ngjarje të rënda që përfshijnë fëmijët vazhdojnë të tronditin opinionin publik në Kosovë. Rrugët e qyteteve po shndërrohen në skena rreziku për të miturit, që gjithnjë e më shpesh po bëhen cak i personave të rrezikshëm. Një rast i tillë është raportuar në orët e para të mëngjesit të 21 majit, në Fushë Kosovë, ku…

Lajme
Ngjarje të rënda që përfshijnë fëmijët vazhdojnë të tronditin opinionin publik në Kosovë. Rrugët e qyteteve po shndërrohen në skena rreziku për të miturit, që gjithnjë e më shpesh po bëhen cak i personave të rrezikshëm.
Një rast i tillë është raportuar në orët e para të mëngjesit të 21 majit, në Fushë Kosovë, ku një vajzë rreth 14-vjeçare, dyshohet se është rrëmbyer nga katër persona të panjohur.
Sipas burimeve të Sinjalit, rreth orës 00:30 është pranuar informacioni për një rast të dyshuar rrëmbimi. Në vendin e ngjarjes, në rrugën “Dardania”, Policia ka kontaktuar me nënën e viktimës, e cila deklaroi se e kishte parë vajzën e saj brenda një veture të dyshimtë.
Kur ajo ishte afruar, vetura kishte lëvizur me shpejtësi, duke e goditur ankuesen, e cila më pas është dërguar për trajtim në QKUK.
Pasi ka kaluar mbi një orë, vajza e mitur është paraqitur në Emergjencën e Prishtinës, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe më pas është intervistuar nga Policia.
Ajo deklaroi se ishte marrë me forcë nga katër persona në rrugën “Pajazit Islami” rreth orës 00:10 dhe gjatë rrëmbimit ishte prekur në pjesën e qafës dhe duarve, përpara se të lirohej rreth një orë më vonë. Sipas raportit mjekësor, ajo nuk ka pësuar lëndime fizike.
Hetuesit kanë identifikuar veturën e dyshuar, ndërsa Prokurorja kujdestare për të mitur, ka autorizuar që rasti të procedohet si vepër penale “Rrëmbimi”. Hetimet janë në vazhdim.