Një foshnjë u gjet e vdekur pranë mbeturinave, ndërsa 34 u lan vetëm brenda vitit të kaluar në QKUK – Rritje enorme e numrit të fëmijëve të braktisur

Një rast shumë i rëndë ka ndodhur dje në Prishtinë, saktësisht në lagjen Matiqan të kryeqytetit. Aty afër një deponije mbeturinash, në një qese të zezë u gjet një foshnjë e cila kishte ndërruar jetë, ndërsa edhe 24 orë pas nuk dihet ende kush e la dhe cila ishte arsyeja. Në lidhje me rastin, dje…

Lajme

20/05/2025 22:32

Një rast shumë i rëndë ka ndodhur dje në Prishtinë, saktësisht në lagjen Matiqan të kryeqytetit. Aty afër një deponije mbeturinash, në një qese të zezë u gjet një foshnjë e cila kishte ndërruar jetë, ndërsa edhe 24 orë pas nuk dihet ende kush e la dhe cila ishte arsyeja.

Në lidhje me rastin, dje Prokuroria Themelore në Prishtinë ka thënë se po e hetojnë atë.

“Ju njoftojmë se Prokurori kujdestar është njoftuar për rastin aktual, është në ndërmarrjen e të gjitha masave dhe veprimeve hetimore për këtë çështje”, thuhet në deklarimin e Prokurorisë.

Ndërkaq, nga Policia e Kosovës dje kanë kërkuar bashkëpunim me qytetarët, që kushdo që ka informacione në lidhje me këtë rast të raportoj në Polici.

“Sot rreth orës 11:00, policia ka pranuar informatën lidhur me dyshimet për një foshnje të braktisur në afërsi të deponisë së mbeturinave në rrugën “Qëndresa” në Prishtinë. Të gjitha njësitë relevante policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, po ashtu edhe mjekët emergjent të cilët kanë konstatuar se foshnja e porsalindur është pa shenja jete. Përderisa trupi i pajetë i foshnjës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore, policia në koordinim me prokurorin e shtetit, me seriozitet është duke u trajtuar rastin dhe ka iniciuar një hetim mbi vdekjen. Ftojmë këdo që ka informacion lidhur me ngjarjen të kontaktojë direkt Policinë”, ka thënë dje Borovci për lajmi.net.

Policia e Kosovës, edhe sot përmes raportit 24 orësh është deklaruar në lidhje me këtë rast shumë të rëndë që ka ndodhur në kryeqytet.

“Prishtinë – Më 19.05.2025. Dëshmitari mashkull kosovar ka njoftuar se kishte gjetur një foshnje të braktisur. Në vendngjarje kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe ekipi i emergjencës, ku mjeku ka konstatuar vdekjen. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion. Rasti është duke u hetuar nga njësitet relevante”, thuhet në raport ndërkaq rasti është cilësuar si “hetim mbi vdekjen”.

Foshnjën e vdekur në qese të zezë, e kanë gjetur dy persona të cilët edhe e kanë raportuar në Polici, transmeton lajmi.net.

Njëri nga ta ka deklaruar se një qen e kishte kapur qesen me gojë dhe në atë moment e kanë vërejtur se është foshnjë.

“Me shokun tem jam kanë dhe ai e ka parë qenin me një qese në gojë. Unë isha në oborrin e tij dhe ka vrapuar, më ka thënë ‘leji ata hekra se po më duket një fëmijë i vdekur’. Jam shkuar dhe e kam parë, këmbët i kishin dalë jashtë qeses, dhe u pa qartë që fëmija ishte i vdekur”, tregoi dëshmitari.

Në lidhje me këtë rast ka reaguar dje edhe koalicioni i OJQ-ve për Mbrojtjen e Fëmijëve.

Kjo ngjarje tragjike është cilësuar nga KOMF si një alarm i rëndë për institucionet përgjegjëse dhe sistemin e mbrojtjes së fëmijëve në vend.

“Asnjë foshnje, asnjë fëmijë, nuk duhet të lindë në rrethana të pasigurta, dhe mbi të gjitha, nuk duhet të përfundojë në këtë mënyrë të tmerrshme,” thuhet në reagimin e publikuar nga KOMF në rrjetet sociale.

Në njoftimin e tyre, KOMF ka bërë thirrje për një hetim të plotë, të shpejtë dhe transparent nga organet e rendit për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti, identifikimin e përgjegjësve dhe ndëshkimin e tyre sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Me dhimbje të thellë dhe shqetësim, KOMF reagon pas lajmit tronditës për gjetjen e një foshnje të porsalindur të pajetë pranë një deponie në Prishtinë. Kjo ngjarje është një alarm i dhimbshëm për të gjithë – për institucionet, sistemin e mbrojtjes së fëmijëve dhe shoqërinë në tërësi. Asnjë fëmijë nuk duhet të lindë apo të përfundojë jetën në këtë mënyrë,” thuhet më tej në deklaratë.

KOMF gjithashtu ka theksuar domosdoshmërinë për një vlerësim serioz të funksionimit të mekanizmave parandalues, që synojnë identifikimin dhe mbështetjen e nënave që gjenden në situata të vështira sociale apo psikologjike. Në fokus janë veçanërisht nënat e reja, të cilat mund të jenë të pambështetura dhe të painformuara për ndihmën që mund të marrin.

Sipas KOMF-it, nevojitet një fuqizim i masave parandaluese, përmes ofrimit të shërbimeve psiko-sociale, programeve të prindërimit, mbështetjes për shëndetin mendor dhe fushatave të ndërgjegjësimit që promovojnë dinjitetin dhe jetën e çdo fëmije. Po ashtu, kërkohet angazhim i menjëhershëm nga institucionet e mbrojtjes sociale, shëndetësore dhe të drejtësisë për të siguruar që raste të tilla të mos përsëriten më.

Braktisja e fëmijëve të porsalindur nuk është se po ndodh rrallë në Kosovë.

Vetëm gjatë vitit 2024, në Klinikën e Neonatologjisë janë lënë pa përkujdesjen prindërore plotë 34 foshnjë, e të cilëve të qarat e para iu janë dëgjuar nga infermieret e kësaj Klinike.

Nga Klinika e Neonatologjisë në QKUK, kanë thënë për lajmi.net se foshnja menjëherë pas lindjes në QKUK dhe pasi prindërit vendosin të mos i pranojnë fëmijët e tyre, kalojnë nën përkujdesjen e kësaj klinike për 28 ditë me radhë.

Gjatë atyre ditëve, në këtë Klinikë ata marrin kujdesin për ushqimin, pastrimin, ndërrimin si dhe të gjitha nevojat e tjera, shkruan lajmi.net.

Në kuadër të Klinikës së Gjinekologjisë, është e angazhuar një punonjëse e cila vepron si ndërmjetësuese mes institucioneve sociale komunale dhe Klinikës së Neonatologjisë për sigurimin e kujdesit të mëtejmë nga Enti Social.

“Gjatë kësaj periudhe të qëndrimit ndërmjetësuesja është në kontakt më prindërit dhe Entin Social komunal përkatës, dhe në shumë raste arrijnë që të bëjnë edhe ribashkimin familjar të foshnjës me njërin ose të dy prindërit biologjik të foshnjës. Te ato raste ku prindërit përfundimisht nuk e pranojnë foshnjën atëherë kujdesi vazhdon nga Enti Social komunal përkatës”, thuhet në përgjigjet nga kjo Klinikë në lidhje me rrjedhën e përkujdesjes së fëmijëve të braktisur derisa ata janë në duart e tyre.

Numri i fëmijëve të braktisur gjatë vitit 2024 ka qenë më i madh se viti paraprak duke arritur në 34 fëmijë të cilët janë lënë në Klinikën e Gjinekologjisë pa përkujdesje nga prindërit.

Nga 34 fëmijë gjithsej, 18 prej tyre kanë bërë bashkim familjar, 16 kanë vazhduar me kujdes nga Enti Social komunal përkatës.

Katër fëmijë më shumë janë braktisur nga familjet e tyre gjatë vitit 2024 për dallim nga viti i kaluar ku janë lënë pa përkujdesje 30 fëmijë, 26 të cilët janë bashkuar me familjet e tyre ndërsa 4 janë dërguar në Entin Social, shkruan lajmi.net.

Fëmijët të cilët i “dorëzojnë” prindërit e tyre në duar të tjera, nuk mbeten pa përkujdesje, pasi një derë tjetër për ta mbetet edhe SOS Fshati ku fëmijët marrin përkujdesje nga mosha 6 vjeç deri në 18 vjeç.

Sipas statistikave që ka siguruar lajmi.net nga SOS Fshati, në vitin 2024 gjithsej 54 fëmijë kanë përfituar shërbime nga ta.

Braktisja e fëmijëve të porsalindur apo edhe më të rritur, është një shqetësim serioz dhe situatë shumë delikate. Por, sfidat ekonomike dhe problemet e tjera me të cilat përballen më së shumti prindërit e rinjë dhe fëmijët që lindin nga shtatzëni të paplanifikuara dhe të padëshiruara, I dërgojnë prindërit drejt një rrugë të gabuar dhe ndoshta edhe jo të dashur për ta.

Braktisja e fëmijëve sjell shumë dëme emocionale e psikologjike gjatë gjithë rritjes së këtyre fëmijëve të cilët gjithmonë ndjejn mungesën e përkrahjes dhe kujdesit së familjes.

Rasti i fundit i foshnjës e cila u gjet e vdekur në një qese të zezë afër mbeturinave në Prishtinë duhet të jetë një alarm për institucionet, për kujdes dhe përkrahje financiare të prindërve të cilët përballen me shtatzëni të paplanifikuar. /Lajmi.net/