Punëtorët e “Pastrimit” protestojnë të hënën para Komunës së Prishtinës

Sindikata “Punëtori” e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” ka paralajmëruar një protestë që do të mbahet të hënën, më 19 maj, nga ora 10:00, përpara objektit të Komunës së Prishtinës. Protesta vjen si reagim ndaj mungesës së përgjigjes institucionale për një sërë shqetësimesh që lidhen me trajtimin e ndërmarrjes publike dhe punëtorëve të saj. Në…

Lajme

17/05/2025 08:18

Sindikata “Punëtori” e kompanisë rajonale të mbeturinave “Pastrimi” ka paralajmëruar një protestë që do të mbahet të hënën, më 19 maj, nga ora 10:00, përpara objektit të Komunës së Prishtinës.

Protesta vjen si reagim ndaj mungesës së përgjigjes institucionale për një sërë shqetësimesh që lidhen me trajtimin e ndërmarrjes publike dhe punëtorëve të saj.

Në njoftimin zyrtar të sindikatës thuhet se protesta është e pashmangshme, pasi Komuna e Prishtinës nuk ka reaguar ndaj kërkesës së dorëzuar më 15 maj.

Ndër shqetësimet kryesore të ngritura nga sindikata përfshihen: diskriminimi në pagesa, pasiguria në punësim, mungesa e transparencës, mosdorëzimi i mjeteve të punës, si dhe dyshimet për favorizim të kompanive private, pavarësisht kapaciteteve dhe përvojës së gjatë të KRM “Pastrimi”.

“Politikëbërja dhe përplasjet institucionale po i kushtojnë punëtorëve me pasiguri dhe mundësi humbjeje të vendeve të punës”, thekson sindikata në njoftim.

Përmes protestës paqësore, punëtorët synojnë të kërkojnë trajtim të barabartë për ndërmarrjen publike, siguri dhe dinjitet në vendin e punës, transparencë dhe zbatim të ligjit nga Komuna e Prishtinës.

Ata gjithashtu kërkojnë publikimin e kontratave dhe vendimeve që ndikojnë në funksionimin e ndërmarrjes, si dhe ndaljen e qasjeve të dëmshme politike dhe institucionale ndaj punëtorëve.